E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zoti Ministër i Brendshëm, çfarë po ndodh në rrugët e Tiranës?
Sot

Zoti Ministër i Brendshëm, çfarë po ndodh në rrugët e Tiranës?

Mentor Kikia

Dy persona civilë ndalojnë me forcë një të ri në mes të rrugës. Pa uniformë. Pa shenja identifikuese. Pa u prezantuar. Pa i dhënë asnjë shpjegim qytetarëve që shohin të tronditur skenën.

Kush janë këta njerëz? Me çfarë autoriteti veprojnë? Ku po e dërgojnë personin e ndaluar?

Bëhet fjalë për një aktivist proteste. Dhe protesta nuk është vepër penale.

Përplasjet gjatë një proteste janë një çështje. Ndalimi nga punonjës policie të identifikuar, me uniformë dhe sipas procedurave ligjore, është një çështje tjetër.

Por rrëmbimi i një qytetari nga persona civilë, pa asnjë element identifikues dhe në sy të publikut, krijon një precedent tepër të rrezikshëm.

A e kuptoni mesazhin që përcillet?

Nëse nesër grupe kriminale përdorin të njëjtën metodë për të marrë peng qytetarë për zhvatje, shantazh apo hakmarrje, si do ta dallojë publiku një operacion policor nga një akt kriminal?

Shteti ligjor nuk mund të funksionojë mbi pamjen e një rrëmbimi.

Nëse ende ka institucione që gjykojnë me qetësi dhe mbi bazën e ligjit, ky është momenti për të reaguar.

Ministria e Brendshme duhet të japë shpjegime publike.

Avokati i Popullit duhet të verifikojë ligjshmërinë e këtyre veprimeve.

Organizatat për të drejtat e njeriut nuk mund të heshtin përballë praktikave që cenojnë sigurinë juridike dhe besimin e qytetarëve.

Sepse kur qytetari nuk arrin më të dallojë policinë nga rrëmbyesi, nuk është më vetëm një problem rendi publik. Është një problem i shtetit të së drejtës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.