Zvicra godet bandën shqiptare, mbi 1.1 ton drogë të sekuestruara
Një operacion i gjerë i autoriteteve zvicerane ka zbuluar një nga qendrat më të mëdha të kultivimit dhe përpunimit të kanabisit të zbuluara në vend, duke çuar në arrestimin e tre personave, mes tyre një shqiptar dhe një kosovar.
Operacioni u zhvillua në muajin mars, pas një hetimi të gjatë të Policisë Kantonale të Zyrihut dhe verifikimit të informacioneve të mbledhura më herët.
Hetimi mori një kthesë të rëndësishme kur policia ndaloi në Zyrih automjetin e një 36-vjeçari me shtetësi gjermane. Gjatë kontrollit, në automjet u gjetën rreth 30 mijë euro cash dhe katër telefona celularë që ishin në funksion.
36-vjeçari ishte vënë më herët nën vëzhgim në Spreitenbach, në kantonin Aargau, ku ishte parë duke u larguar nga një objekt biznesi.
Po atë ditë, Policia Kantonale e Zyrihut, në bashkëpunim me efektivët e Aargaut, ndërhyri në ambientet e objektit. Brenda tij u arrestuan një 26-vjeçar nga Kosova dhe një 29-vjeçar shqiptar.
Plantacioni gjigant me rreth 24 mijë bimë
Kontrolli i ambienteve zbuloi përmasat e vërteta të aktivitetit. Në një sipërfaqe prej rreth 4 mijë metrash katrorë ishte ngritur një plantacion indoor i kanabisit, i pajisur me ambiente të veçanta për kultivimin, tharjen dhe përpunimin e bimëve.
Në objekt u gjetën gjithsej 23,918 bimë kanabisi, ndërsa infrastruktura teknike tregonte për një aktivitet të organizuar në shkallë të gjerë.
Por për autoritetet zvicerane, prova më e rëndësishme ishte sasia e drogës që ishte tashmë e gatshme për t’u hedhur në treg.
Gjatë kontrollit u sekuestruan 1,106 kilogramë marihuanë. Në ambientet e objektit u gjetën gjithashtu dy armë zjarri, 6,420 franga zvicerane cash, makina profesionale për numërimin e parave dhe pajisje të tjera që dyshohet se ishin përdorur në aktivitetin kriminal.
Hetuesit gjetën edhe mbetje bimore që dyshohet se përdoreshin për prodhimin e polenit dhe pluhurit të rrëshirës.
Dyshime për një grup kriminal të organizuar
Sipas vlerësimit të Gjykatës Federale Penale të Zvicrës, provat e mbledhura sugjerojnë se aktiviteti nuk ishte thjesht një rast i kultivimit të paligjshëm të kanabisit.
Kombinimi i sasisë së madhe të drogës, infrastrukturës së ngritur, pajisjeve të përpunimit, parave cash, armëve dhe mjeteve për numërimin e parave ka forcuar dyshimet se bëhej fjalë për një veprimtari kriminale të organizuar dhe të orientuar drejt fitimit.
Autoritetet dyshojnë se qendra në Spreitenbach shërbente si një bazë e rëndësishme për prodhimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Tre personat e arrestuar gjatë operacionit, një shtetas gjerman, një kosovar dhe një shqiptar, dyshohet se kishin role në funksionimin e strukturës operative.
Informacioni anonim ishte marrë që në vitin 2024
Dosja nxjerr në pah edhe një tjetër element. Autoritetet e kantonit Aargau kishin marrë që në nëntor të vitit 2024 një informacion anonim për kultivim të paligjshëm kanabisi në të njëjtin objekt.
Pas verifikimeve të kryera në atë kohë, autoritetet kishin vlerësuar se nuk kishte dyshime të mjaftueshme për ekzistencën e një vepre penale dhe nuk e kishin vijuar çështjen me një hetim të plotë.
Aktiviteti u zbulua vetëm më vonë, pasi Policia Kantonale e Zyrihut siguroi informacione të reja dhe nisi hetimet që çuan në operacionin e marsit.
Sipas Gjykatës Federale Penale, në objektin e Spreitenbach ishte ngritur një qendër e përmasave të mëdha për prodhimin e lëndëve narkotike.
Përplasja mes prokurorive për kantonin që do të drejtojë hetimin
Pas operacionit, Prokuroria e Aargaut kërkoi që procedura t’i kalonte Zyrihut, duke argumentuar se hetimet për trafikimin profesional të narkotikëve dhe aktivitetin në kuadër të një bande ishin nisur fillimisht nga autoritetet e këtij kantoni.
Prokuroria e Zyrihut e kundërshtoi kërkesën.
Çështja përfundoi para Gjykatës Federale Penale, e cila vendosi në favor të Aargaut. Gjykata arsyetoi se qendra kryesore e aktivitetit të dyshuar kriminal ndodhej në Spreitenbach, pikërisht aty ku ishte zbuluar plantacioni dhe infrastruktura e prodhimit.
Për këtë arsye, kantoni Aargau u konsiderua kompetent për ndjekjen penale të pesë personave të dyshuar.
Administratorët e kompanisë dyshohet se drejtonin aktivitetin
Hetimi lidhet gjithashtu me një shoqëri aksionare me aktivitet në Spreitenbach, e cila dyshohet se mund të jetë përdorur si mbulesë për veprimtarinë e paligjshme.
Themeluesi i kompanisë dhe një prej administratorëve janë mes personave të dyshuar nga autoritetet dhe dyshohet se kanë pasur role drejtuese në strukturën që operonte në objekt.
Ndryshe nga tre personat e arrestuar gjatë operacionit të marsit, personat që dyshohet se qëndronin në nivelet drejtuese të aktivitetit nuk u arrestuan në atë moment dhe u shpallën në kërkim.
Nuk është bërë e ditur nëse ata janë arrestuar në një fazë të mëvonshme të hetimit.
Rasti rikthen në vëmendje edhe një procedurë tjetër të ngjashme në Zvicër, ku autoritetet kishin marrë më herët informacione anonime për një aktivitet të dyshuar kriminal, por pa ndërmarrë një hetim të plotë në atë fazë.
Në atë çështje, hetimi mori një zhvillim të ri pasi Policia Kantonale e Zyrihut siguroi informacion shtesë dhe nisi një operacion të fshehtë.
Edhe në këtë rast, Gjykata Federale Penale vendosi që procedura duhej të drejtohej nga kantoni ku ndodhej qendra kryesore e aktivitetit kriminal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



