E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
1 tetor nis numërimi i popullsisë e banesave!
Publik News

1 tetor nis numërimi i popullsisë e banesave!

Nga arsimi e profesioni, te përkatësia fetare, zbulohen disa nga pyetjet

Në një tetor të këtij viti do nisë në Shqipëri censusi i popullsisë dhe banesave. Lajmin e ka dhënë vetë drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli, e cila tha se ky proces do të zgjasë 6 javë, ndërsa ka përfunduar procesi pilot. Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë mbi projektligjin “Për miratimin e programit të statistikave zyrtare 2022-2026”, Dhuli u shpreh se INSTAT është duke bërë përgatitjet e fundit për dy censuset e reja, të cilat zhvillohen 1 herë në 10 vite.

“Për arsye të tërmetit, pandemisë dhe zgjedhjeve parlamentare, INSTAT e shtyu censin e popullsisë në tetor të vitit 2022. Në 1 tetor të këtij viti, Instituti i Statistikave do të organizojë censin e popullsisë dhe të banesave në të gjithë vendin, duke angazhuar afro 8 mijë të punësuar, si dhe do të vendosë në dispozicion të gjithë stafin e tij për këtë aktivitet, nga më madhorët në vend, që kryhet 1 herë në dhjetë vjet. Periudha që do të zgjasë censusi do të jetë 6 javë, nga 1 tetorit deri në 15 nëntor. Aktualisht jemi duke analizuar gjetjet nga projekti pilot dhe kemi marrë masa si të analizojmë problematikat e ndeshura gjatë pilotit në mënyrë që të realizojmë një proces të suksesshëm. Censusi numëron të gjithë popullsinë rezidente në territorin e Shqipërisë. INSTAT ka realizuar 41 takime me kryetarët e Bashkive nga 61 bashki, në mënyrë që të kemi mbështetje gjithëpërfshirëse të pushtetit lokal”, tha Dhuli përpara ligjvënësve.

Për sa u përket pyetjeve kryesore që do të përmbajë censusi, drejtoresha e INSTAT nuk dha shpjegime, por ajo sqaroi edhe çështjen që lidhet me përcaktimin në census të besimit fetar.

“Një ndër grupet e interesit më aktive gjatë projektit pilot në 9 bashki kanë qenë komunitetet fetare, që kanë marrë pjesë në të gjitha këto takimet. Kemi kryer takime të ngushta edhe me përfaqësues të komuniteteve fetare, pasi në pyetësorin e censusit, do të jenë pyetje mbi përkatësinë fetare, e cila konsiderohet pyetje sensitive dhe, në përgjigje të saj, personi ka të drejtë të mos përgjigjet, por pa u penalizuar. Struktura dhe përmbajtja e bashkësive fetare është në bazë të strukturës që ekziston në vend, e dakordësuar me vetë komunitetet. Po ashtu, censusi ka edhe pyetje mbi identitetin e lirë etnik të popullsisë rezidente apo mbi gjuhën”, tha Dhuli.

Nga ana tjetër, kujtojmë që në censusin e vitit 2011 kishte pyetje mbi nivelin e arsimit, profesionin, moshën etj., të cilat do të jenë përsëri pjesë e tij. Në bazë të ligjit të censusit janë krijuar dy komisione për censusin e popullsisë dhe banesave. Komisioni qendror, i cili drejtohet nga zëvendëskryeministri, por anëtarë janë të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar dhe komisionet e censusit në nivel bashkie, të cilët drejtohet nga kryetarët e Bashkive, ku anëtarë janë punonjës të bashkive dhe punonjës të INSTAT.

CENSUSI I BUJQËSISË

Për sa i përket censusit të Bujqësisë, drejtoresha e INSTAT theksoi se: “Censi i bujqësisë ishte i parashikuar të kryej në vitin 2022, por për shkak të shtyrjes së censusit të popullsisë, jemi të detyruar ta shtyjmë. Kjo për faktin se censusi i popullsisë përmban një modul me pyetje mbi aktivitetin në bujqësi. Pra, bazuar në rezultatet që do të mblidhen gjatë censusit të popullsisë, do të krijohet databaza për organizimin e censusit të bujqësisë. Grumbullimi i të dhënave do të bëhet me tablet, të cilat do të përdoren edhe në vazhdim për censin e bujqësisë dhe rezultatet e para do të jenë gati në fillim të vitit 2023. Gjatë këtij viti, do të kryhen të gjitha proceset, testimet dhe censi pilot për censusin e bujqësisë dhe në vitin 2024 do të organizohet censusi. E pyetur për buxhetin, Dhuli siguroi se fondi prej 4.8 milionë eurosh i iniciuar nga BE nuk është shpenzuar dhe është në dispozicion të këtij procesi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.