E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
113 vjet Pavarësi, 113 vjet Flamur dhe 30 vjet Iluzion
Flash

113 vjet Pavarësi, 113 vjet Flamur dhe 30 vjet Iluzion

­Naim  Noka

113 vjet më parë, 40 burra dhe Ismail Qemali ngritën një komb.
Në 30 vitet e fundit, politika shqiptare ka ngritur vetëm zhgënjime.

Ky 28 Nëntor duhet të ishte festë e madhe kombëtare. Por e vërteta është se Shqipëria e vitit 2025 është më afër krizës morale sesa ëndrrës së rilindësve.
Ndaj sot duhet të flasim hapur, pa dekor, pa pompozitet shtetëror:

Ata na lanë atdheun ne po e shesim copë-copë.

Skënderbeu luftoi 25 vjet.

Ne 30 vjet luftojmë me njëri-tjetrin.

Skënderbeu çliroi Krujën nën shiun e shigjetave otomane, ne sot s’çlirojmë dot asnjë institucion nga korrupsioni.
Ai u përball me Perandorinë Osmane, ndërsa ne përballemi me një oligarki vendase që e ka kthyer Shqipërinë në shtet privat, ku politikani është pronar dhe qytetari është qiramarrës.

Ismaili ngriti flamurin për të bashkuar shqiptarët.
Politika e 30 viteve të fundit e ka përdorur po atë flamur për t’i ndarë ata në:
• socialistë vs demokratë
• jug vs veri
• emigrantë vs vendas

Një komb që mbijetoi 500 vjet pushtim, sot mundohet të mbijetojë nën 30 vjet mashtrim.

Ismail Qemali ngriti shtetin.

Ne ngritëm shtet-zhgënjimin.

Në 1912, 40 firma shpallën pavarësinë e Shqipërisë.

Në 30 vitet e tranzicionit, qindra firma kanë shpallur pavarësinë e vet nga ligji.

Ismail Qemali ngriti qeverinë e parë për të shpëtuar territorin.
Qeveritë tona të tranzicionit rindërtuan vetëm një territor: atë të interesave personale.
• Ai ndërtoi shtetin.
• Ne ndërtojmë vetëm fasada.
• Ai u përball me ushtritë serbe që vinin drejt Vlorës.
• Ne sot përballemi me ushtritë e tenderëve, koncesioneve dhe PPP-ve që vijnë drejt buxhetit.

Në 1912 s’kishim arka të mbushura me para, por kishim shtet.
Në 2025 kemi arka plot me dollaro, por shtet bosh.

Shqiptarët e Shqipërisë, robër të tranzicionit që nuk mbaron

Në vend të pavarësisë së dytë, këto 30 vite sollën:
• largimin masiv të të rinjve
• varfërinë në rritje
• shpopullimin e fshatrave
• betonimin e çdo centimetri toke
• krimin e organizuar të lidhur me politikën
• drejtësi që vjen vetëm pasi fjala “SPAK” tremb dikë në pushtet

Tranzicioni ynë është gjendje e përhershme.
Është gjysmë-demokraci, gjysmë-ekonomi, gjysmë-liri.
Ne jemi 113 vjet shtet, por 30 vjet peng.

Kosova e pavarur, por e tradhtuar nga të mëdhenjtë

Kosova është i vetmi vend ku shpirtërisht 28 Nëntori ka mbetur i shenjtë, sepse atje liria ka emër të dhimbshëm.
Por edhe Kosova sot përballet me padrejtësi ndërkombëtare, me presione, me standarde të dyfishta, me ambasada që vendosin më shumë se parlamenti i vendit dhe me tekat e politikanëve të saj.

Dhe ndërkohë, Shqipëria hesht kur duhet të flasë.
Hesht kur duhet të jetë zëri i shqiptarëve në rajon.
Hesht, sepse politika ka harruar se 28 Nëntori është akt kombëtar, jo datë protokolli.

Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës – shqiptarët që jetojnë me flamurin, por pa të drejtat

Shqiptarët në:
• Shkup
• Tetovë
• Kërçovë
• Ulqin
• Tuz
• Preshevë, Medvegjë, Bujanoc

kanë mbetur çdo 28 Nëntor me flamurin në zemër, por me padrejtësitë mbi shpinë.

Ata i dhanë shteteve  fqinje stabilitet, ekonomi, vota – por morën shumë pak në këmbim.
Dhe Shqipëria zyrtare, që duhej të ishte avokati i tyre historik, ka qenë më shpesh spektatore sesa mbrojtëse.

113 vjet Pavarësi – por ende jo të lirë nga e keqja që e krijuam vetë

E vërteta është e thjeshtë:

Ky vend s’po e shemb dot dot rregjimin që ndërtoi vetë në 30 vite.

Dhe pyetja që historia na bën është e ashpër:

Çfarë do të thoshin sot Skënderbeu dhe Ismail Qemali… po të shihnin se ku kemi mbërritur?

A do të na duartrokisnin?
Apo do të  turpëroheshin?
Apo do të na kërkonin të kthenim sytë nga flamuri, jo nga xhepat?

113 vjet Flamur.

113 vjet Amanet.
30 vjet Harrim.

Nuk mjafton të festojmë 28 Nëntorin me foto në Instagram.
Duhet ta festojmë duke u përballur me të vërtetën:
• Shqipëria është më e varfër se 10 vjet më parë.
• Demografia është në alarm kombëtar.
• Oligarkia kontrollon çdo sektor.
• Rinia ikën.
• Drejtësia lesh arapi.
• Media është kapur.
• Shteti është kthyer në instrument të pushtetit, jo të popullit.

Kjo nuk është pavarësi është imitim pavarësie.

Dhe megjithatë… Shqipëria nuk është e humbur.

E humbur është klasa politike. Shqiptarët e thjeshtë ata që punojnë, sakrifikojnë, ikin, kthehen, luftojnë – janë ende shpresa që Skënderbeu dhe Ismail Qemali kanë lënë gjallë.
Populli është më i fisëm se politikanët e tij.
Dhe flamuri është më i pastër se duart e politikanëve që drejtojnë vendin.

Gëzuar 28 Nëntorin!

Dita e Flamurit, Dita e Turpit të politikës dhe Dita e Shpresës së kombit.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.