280 mln lekë nën lupë, nisin hetimet për skandalin në AZHBR
Vetëm një ditë publikim të rastit të dyshuar të konfliktit të interesit në miratimin e një projekti 280 milionë lekë nga AZHBR, Ministria e Bujqësisë ka urdhëruar ngritjen e një auditimi të brendshëm për të verifikuar abuzimet e mundshme me fondet publike.
Në qendër të hetimit ndodhet projekti i subjektit “Bënja SHPK”, me vlerë totale 28,830,911 lekë të reja, për ngritjen e një stalle lopësh në Kuçovë. Kontrata është firmosur nga drejtoresha e AZHBR-së, Ardita Kuçi, ndërsa dokumentacioni teknik është hartuar nga inxhinieri Ylli Ago.
Problemi? Projekti është vlerësuar dhe miratuar pikërisht nga vajza e inxhinierit, Ana Ago, e cila mban postin e Inspektores së Përzgjedhjes së Projekteve në AZHBR — një konflikt interesi i pastër, i dokumentuar dhe i pa justifikueshëm.
Falë pikërisht këtij vlerësimi, kompania “Bënja SHPK”, në pronësi të Ardit Bënjës, aktualisht drejtues i FRPD në Kuçovë, është shpallur fituese dhe ka përfituar 50% të investimit si grant, pra 14,415,455 lekë.
Në vend që të jepte shpjegime, AZHBR reagoi duke e cilësuar raportimin e Top Channel si “fushatë të koordinuar lajmesh të rreme”, duke theksuar se ka njoftuar organet kompetente — një deklaratë që ngriti edhe më shumë pikëpyetje.
Por Top Channel ka zbuluar edhe një element tjetër që e thellon skandalin.
Jo vetëm që Ana Ago është vajza e inxhinierit që hartoi projektin, por rezulton se ajo ka lidhje familjare edhe me vetë drejtoreshën e AZHBR-së, Ardita Kuçi. Kjo lidhje e dyfishtë familjare e shpjegon arsyen pse projekti i Ardit Bënjës u shpall “histori suksesi” nga drejtoresha, pavarësisht konfliktit flagrant të interesit.
Skandali pritet të thellohet edhe më tej me nisjen e auditimit të Ministrisë së Bujqësisë, që tashmë është vënë nën presion për të sqaruar se si funksionon realisht përzgjedhja e projekteve në AZHBR dhe kush përfiton nga fondet publike.




Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



