31-vjeçari i armatosur përplas makinat, plagos çiftin dhe arrestohet
15 minuta “Fast & Furious” rrugëve të Tiranës
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në afërsi të Saukut, ku një 31-vjeçar i armatosur, i identifikuar si Imer Krrashi, ka refuzuar t’i ndalojë Policisë dhe është përfshirë në një ndjekje të rrezikshme nga forcat “Shqiponja”.
Sipas raportimit të gazetares Dorjana Bezat, pas tentativës për t’i shpëtuar kontrollit, Krrashi ka përplasur disa automjete dhe një motomjet. Si pasojë, një polic jashtë shërbimit dhe bashkëshortja e tij që ndodheshin në motomjet janë plagosur. Polici mësohet se është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Makina është ndaluar pas 15 minutash nga policia dhe brenda saj është gjetur një armë zjarri.
Policia ka njoftuar zyrtarisht se ngjarja ndodhi rreth orës 12:30 pranë “Liqenit të Thatë”, ku i dyshuari nuk iu bind urdhrit për ndalim dhe tentoi të largohej me shpejtësi, duke shkaktuar aksidentin.
“Pas një ndjekjeje intensive u bë ndalimi i automjetit. Gjatë kontrollit të automjetit i është gjetur një armë zjarri pistoletë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.
Autori është arrestuar dhe ndodhet në komisariat, ndërsa hetimet për ngjarjen po vijojnë. Policia ende nuk ka dhënë informacion mbi motivin e armatosjes dhe arsyen e rezistencës ndaj ndalimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



