62-vjeçari nuk shfaq pendesë: Nuk bëra gabim, gruan time vrava
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Shkodrës, ku një 62-vjeçar ka vrarë me armë zjarri bashkëshorten e tij 55-vjeçare, Bardhe Ziçi.
Ngjarja u regjistrua mesditën e së enjtes në lagjen “Mark Lula”, ku Shtjefën Ziçi dyshohet se ka qëlluar me çifte ndaj gruas së tij në pragun e banesës së familjes.
Pas krimit, deklarata e tij para autoriteteve ka shkaktuar tronditje të madhe. “Nuk kam bërë diçka të gabuar, gruan time vrava”, mësohet të ketë thënë 62-vjeçari.
Sipas hetimeve paraprake, autori punonte si taksist me automjetin e tij privat, ndërsa ndihmonte edhe në furnizimin e dyqanit ushqimor që menaxhonte bashkëshortja e tij, e cila mbeti e vrarë.
Çifti ishin prindër të dy fëmijëve. Vajza e tyre shërben në ushtri, ndërsa djali jeton në Zvicër.
Arma me leje, dyshimet për motivin e krimit
Mësohet se arma e përdorur në ngjarje ishte me leje dhe ishte në pronësi të 62-vjeçarit. Sipas hetimeve, ajo ishte mbushur me plumba nga vetë viktima dy ditë përpara ngjarjes.
Dyshimet e para të grupit hetimor lidhen me xhelozinë si motiv të mundshëm të krimit.
Sipas të dhënave paraprake, para se të ndodhte vrasja, 62-vjeçari i kishte kërkuar bashkëshortes telefonin e saj. Pas këtij momenti, situata ka përshkallëzuar dhe arma është përdorur në hyrje të banesës.
Deklarata që nxjerr në pah një mentalitet kontrolli
Përtej aktit kriminal, fjalia e thënë nga autori pas vrasjes ka sjellë një debat të fortë mbi mënyrën e perceptimit të dhunës ndaj grave.
Shprehja “Nuk kam bërë diçka të gabuar, gruan time vrava” nuk përfaqëson vetëm një përpjekje për të minimizuar përgjegjësinë, por pasqyron një koncept të deformuar ku një person mendon se ka të drejtë të vendosë mbi jetën e partneres.
Ky mentalitet lidhet me idenë e gabuar të kontrollit dhe pronësisë ndaj bashkëshortes, duke e trajtuar gruan jo si një individ me të drejta, zgjedhje dhe liri personale, por si dikë mbi të cilin mund të ushtrohet pushtet.
Ekspertët e trajtimit të dhunës në familje kanë theksuar vazhdimisht se xhelozia, kontrolli dhe bindja se partneri “i përket” dikujt tjetër janë elementë që mund të shndërrohen në forma ekstreme dhune.
Në thelb, jeta dhe siguria e një gruaje nuk janë pronë e askujt. Çdo individ ka të drejtën themelore për të jetuar i lirë nga frika, kërcënimi dhe dhuna.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



