6500 SMS për tenderat dhe 1 video hot për Berberin e Ballukut
Rreth 6 500 mesazhe telefonike, së bashku me dokumente të tjera digjitale, përbëjnë përmbajtjen e një USB-je që, sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), dokumenton aktivitetin e dyshuar kriminal të ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, si dhe të vartësve të saj dhe zyrtarëve të tjerë.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, mesazhet dhe dokumentet përputhen me prova shkresore dhe tregojnë manipulime të tenderave, ku Balluku dyshohet për paracaktim dhe korrupsion në të paktën 11 procedura prokurimi. Hetimet nuk kufizohen vetëm te Unaza e Madhe, por shtrihen edhe te projekte të tjera madhore, si:
- Rruga Thumanë–Kashar (245 milionë euro),
- Rruga Porto Romano–Durrës (12 milionë euro),
- Mirëmbajtja e akseve të veriut (440 mijë euro).
SPAK ka krijuar bindjen se, në këmbim të këtyre tenderave, janë shpërndarë apartamente, të cilat regjistroheshin me emra të tretë për të fshehur përfitimet e paligjshme. Mesazhet përmbajnë gjithashtu referenca për mjete lundrimi luksoze, çka ka orientuar hetimin drejt episodeve të tjera të mundshme të abuzimit me detyrën dhe pasurimit të paligjshëm.
Përmes metodave speciale të hetimit, prokuroria ka konstatuar edhe presione të ushtruara ndaj një vartësi, madje edhe pas marrjes së statusit të të pandehurit dhe pa u pezulluar ende nga detyra.
Materiale komprometuese në dosje
Në dosjen voluminoze, sipas burimeve tona, përfshihen edhe materiale video të sekuestruara nga telefoni i Vis Berberit, ish-zyrtar i lidhur me procedurat tenderuese. Një prej këtyre materialeve përshkruhet si video komprometuese ku titullari kryente seks në grup, e cila dyshohet se i është përcjellë edhe kryeministrit Edi Rama. Burimet pohojnë se materiali ka shkaktuar tronditje në nivelet e larta, pasi ishte i ruajtur në pajisjen personale të Berberit. Duket se shumat e mëdha të përfituara nga Berberi përdoreshin për harlisje dhe netë të zjarrta në vila private dhe resorte luksoze në periferi të Tiranës dhe në bregdet.
Sipas të njëjtave burime, Berberi ruante dhe shpërndante një pjesë të komunikimeve dhe materialeve, duke ngritur dyshime se mund të jenë përdorur si instrument presioni në marrëdhënie politike dhe institucionale.
Bashkëpunim me SPAK
Një anëtare e bordit të tenderëve pranë strukturave të drejtuara nga Vis Berberi raportohet se ka pranuar bashkëpunim me SPAK, duke ofruar dëshmi për procedura fiktive dhe të paracaktuara në ARRSH. Burimet sqarojnë se, ndërkohë që milionat e përfituara dyshohet se përdoreshin nga Balluku dhe Berberi, anëtarët e bordeve trajtoheshin si zbatues, pa përfitime personale nga skemat e korrupsionit.
USB-ja me provat është depozituar në kasafortën e Kuvendit dhe pritet të shërbejë si bazë kryesore për vendimin e deputetëve mbi heqjen e imunitetit dhe mundësinë e masave më të rrepta sigurie, përfshirë ndalimin e lëvizjes jashtë vendit. SPAK argumenton se kërkesa mbështetet në prova të reja, të papërfshira në vendime të mëparshme gjyqësore.
Redaksia thekson se bëhet fjalë për pretendime të bazuara në burime, të cilat kërkojnë verifikim të plotë nga organet e drejtësisë. Të gjithë personat e përmendur gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar gjyqësor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



