E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tuneli i Llogarasë dhe Unaza e Madhe, zbardhet lëvizja e fundit e SPAK
Lajme

Tuneli i Llogarasë dhe Unaza e Madhe, zbardhet lëvizja e fundit e SPAK

Ballukut dhe zyrtarëve të tjerët u kërkohet të paraqiten me avokatët përkatës

Prokuroria e Posaçme ka intensifikuar veprimet hetimore në dosjen e tunelit të Llogarasë dhe Lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës, duke thirrur për paraqitje ish-zv.kryeministren Belinda Balluku dhe të pandehur të tjerë të përfshirë në këtë çështje.

Procesi ka nisur këtë të mërkurë me paraqitjen e ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Gentian Gjyli, i cili ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Ai u paraqit i shoqëruar nga avokati i tij, Andi Skënderaj, si dhe nga një efektiv policie.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se të gjithë të pandehurve u është kërkuar të paraqiten në prokurori të shoqëruar nga mbrojtësit e tyre ligjorë (avokatët). Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse SPAK do të komunikojë zgjatjen e hetimeve me tre muaj për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera, apo nëse bëhet fjalë për zhvillime të tjera proceduriale.

Një element që shton më tej interesin mbi këtë çështje është përfshirja në këto veprime edhe e ish-drejtorit tjetër të ARRSH-së, Evis Berberi, i cili ndodhet në arrest. Thirrja e tij nuk përjashton mundësinë e regjistrimit të një procedimi të ri penal, apo komunikimin e akuzave të reja për zyrtarët e përfshirë.

SPAK vijon të ruajë një qëndrim të rezervuar, duke mos dhënë detaje mbi këtë fazë të hetimeve. Megjithatë, zhvillimet e fundit vijnë pas një momenti të rëndësishëm politik dhe procedural, kur Kuvendi refuzoi kërkesën e SPAK për heqjen e mandatit të Belinda Ballukut. Pas këtij vendimi, prokuroria njoftoi se hetimet do të thelloheshin, duke përfshirë dyshime për korrupsion dhe pastrim parash.

Në kuadër të këtij hetimi, organi i akuzës ka ndërmarrë edhe masa sekuestrimi pasurish. Një prej tyre është një vilë në Dhërmi, e regjistruar në emër të ish-futbollistit Igli Tare, por që sipas dyshimeve të prokurorisë, mund të jetë një pasuri e fshehur e lidhur me Belinda Ballukun.

Dosja e Llogarasë dhe Unazës së Madhe konsiderohet një nga çështjet më të ndjeshme të infrastrukturës në vend, ndërsa zhvillimet e fundit pritet të hedhin më shumë dritë mbi përgjegjësitë penale dhe mënyrën e menaxhimit të fondeve publike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.