E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
A bën tregti  prifti i Kçirës?
Publik News

A bën tregti prifti i Kçirës?

(Një udhëtim i para disa vjetëve. E nxorra nga “sirtari” për të plotësuar tre protrete nga të tre besimet: At Viktorin e Ziçishtit, Vëllezërit e Tushemishtit dhe Dom Xhovanin e Kishës së Kçirës. Pak i gjatë, por them se ia vlen pak durim, aq më tepër që, për personazhe të tillë, shkruhet shumë pak.)

Axhenda e një prifti

12 dhjetor. Jemi nisur për në Pukë. Kemi dëgjuar se në atë zonë, një prift italian, përveç punëve të Zotit, merret me tregti. Telefonojmë priftin dhe bëhemi gati të flasim italisht, por nga ana tjetër e receptorit një zë bass na përshëndet në shqip. Prezantohemi dhe i shpjegojmë arsyen pse duam ta takojmë. Ai na lutet të presim për disa çaste, në mënyrë që të shohë axhendën.
Të ketë prifti i Pukës një axhendë? –mendojmë djallëzisht, duke mbajtur telefonin hapur.
-Sot nuk mund t’ju pres sepse kam disa detyrime, nesër jam i lirë. Si thoni në orën 11:00 në kishën e Kçirës?
Më kot ngulim këmbë për sot. Axhenda e tij s’mund të ndryshojë dhe ne kthehemi mbrapsht qefprishur. E nesërmja na gjen sërish në rrugë. Moti është i ftohtë. Bora dhe ngricat na shoqërojnë përgjatë gjithë rrugës. Arrijmë në Kçirë me 45 minuta vonesë. Buzë rrugës shohim të parkuar një fuoristradë të vjetër dhe brenda saj një burrë rreth të 60-ave që dihat duart. Është Dom Xhoivani, prifti i këtyre anëve. Dukej sheshit që është mësuar me moskorrektesën tonë dhe, në axhendën e vet, me siguri ka llogaritur edhe vonesat.
S’na duhet shumë kohë për të vërtetuar se ky prift, jo vetëm që ka një axhendë, por mjaft të ngjeshur, madje. Në bllokun e tij ka më shumë se tetë aktivitete apo takime të programuara, të cilat më pas arshivohen në dokumentacionin e dioqezës, së cilës i përket. Përfytyrimi ynë për njeriun që takuam fillon e ndryshon në një kahje tjetër.

Famulltari i Kishës së Kçirës

Fshati Kçirë ndodhet në anë të rrugës për në Pukë, rreth 8 km para qytetit. Ne parkojmë makinën në rrugën kryesore dhe zbresim në një shteg plot me borë. Përgjatë dishezës së shkurtër drejt Kishës, Dom Xhovani na shpjegon mënyrën e ndarjes dhe administrimit të Kishës Katolike në Shqipëri. -Janë gjithsej gjashtë dioqeza dhe kisha e Kçirës bën pjesë në atë të Sapës. Unë jam famulltari i saj, thotë ai. -Por puna ime nuk mbaron këtu. Unë mbuloj një hapësirë më të gjerë. Jam meshtar në shumë kisha të zonës dhe nis e numëron: kisha “Zoja e Papërlyme” në Pukë, pesë kisha në komunën e Çelëzit në Shkozë, në Bled, në Pla tek “kisha e Zemrës së Krishtit” e me radhë. Ndërkohë, duke ecur e folur nëpër borë, kemi arritur në Qendrën “At Mëhill Troshani”, një shoqatë jo fitimprurëse, ngritur nga ai dhe vendosur rëzë një kodrine. Një qen i stërmadh Sharri afrohet frikshëm te gardhi. Dy pastorë gjermanë nisin të lehin sapo shohin të zotin e tyre. Përpara na del Dod Marinaj, koordinatori i qendrës, dhe të gjithë bashkë drejtohemi për nga kisha, rreth 100 metra më tutje, në oborrin e të cilës flenë themelet e kishës së vjetër.
Dom Xhovani është një mesoburrë rreth të 60-ave, me një fizik të fortë, flokëverdhë e me sy të kaltërt. Nën rrobat dimërore dhe kapuçin ngjeshur kokës, ai s’dallon shumë nga të tjerët. Vetëm kur nis të flasë, ti mund të zbulosh një njeri jo të zakonshëm. Lindur pranë Milanos, ai u shugurua prift në moshën 23 vjeçare dhe ka shërbyer si i tillë në vende të ndryshme të Italisë. Në Shqipëri ka ardhur në vitin 1999. Plot 14 vjet.
E pyes si e përjetoi emërimin në Shqipëri. Me një qetësi hyjnore ai më tregon se nga momenti që kishte pranuar t’i përkushtohej Zotit, prioriteti i tij ishte të donte popullin që i kishte besuar Kisha. Të tjerat janë të parëndësishme. -Unë i kam pranuar kushtet qysh në fillim. Edhe për familjen. Juve mund ta dini. Priftërinjtrë katolikë s’mund të martohen. Ky është rregulli dhe unë e respektoj atë, pa më detyruar kush. Lirinë time e kam lënë në dorë të Zotit.
A je mërzitur ndonjëherë gjithë këto vjet? – e pyes me kureshtje. Përgjigja e tij është e drejtpërdrejtë, pa rrena. -Kur mërzitem shkoj fle gjumë dhe mendoj se nesër do të nisë një ditë e re.
-Po gjuhën shqipe? Si ia dole ta flasësh kaq bukur?
-Ipeshkvi më pat paralajmëruar. “S’po të çojmë të bësh foto, por të mësosh gjuhën dhe mentalitetin e atyre njerëzve.”

Qendra “At Mëhill Troshani”
Qendra “At Mëhill Troshani” është një shoqatë jofitimprurëëse e krijuar me iniciativën e Dom Xhovanit si një projekt spontan që kishte për qëllim nxitjen e banorëve të Kçirës, por edhe më gjerë, për të gjetur tek puna dhe burimet e zonës mënyrën më të mirë për një të ardhme të begatë. -Kjo tokë mund të jetë shumë e varfër, por është një mundësi që njerëzit ta përdorin e të nxjerrin të mira prej saj, thotë Dom Xhovani. Filozofia e tij për të ndihmuar njerëzit nuk është falja e thasëve me miell apo ndihmave të tjera, që Kisha ua jep me bujari besimtarëve të vet. -Kjo vlen, vazhdon ai, për njerëzit e pamundur, të sëmurët, pleqtë, por kurrësesi për ata që janë të aftë për punë. S’mund ta ndihmosh dikë nëse i fal një peshk, por duke i mësuar peshkimin, -u mshon ai fjalëve.
Administratori i qendrës, Dodë Marinaj, na tregon se si një ditë Dom Xhovani vjen i revoltuar. I kishin thënë se disa firma italiane ua blenë kërpudhat njerëzve të zonës me një çmim qesharak. -Do ua mbledhim ne me trefishin e çmimit, më tha. Që atëherë idea u zgjerua më tej. Ne nxitëm fëmijët të mbledhin fruta pylli si luleshtrydhe, manaferra, boronica, trumza e plot bimë medicinale në këmbim të një çmimi të arsyeshëm. Pastaj filluam që në tokën e kishës të kultivojmë lloj lloj pemësh e bimësh, duke punësuar mjaft njerëz, katolikë e myslimanë, të cilët filluan të përfitojnë me punën e tyre të ardhura të kënaqshme. Ashtu siç ndodh në një reaksion zinxhir, aktiviteti i qendrës u zgjerua në përmasat e një sipërmarrjeje. Në ambjentet e saj ne shohim makineri moderne të përpunimit të frutave të pyllit, të falura nga donatorë italianë e austriakë. Magazinat dhe bodrumet janë të mbushur plot me reçelna, komposto, mjaltë, likerna të ndryshme e bimë medicinale. Më tej vjen dhoma e tharjes dhe ambalazhimit të kërpudhave Porcini, ndërsa në një qilar të errët rrinë varur nëpër çengelë me dhjetra kofsha derri të stazhionuara prej tre vjetësh. Gjithçka është e sistemuar dhe etiketuar me një rregull për t’u patur zili dhe, më e rëndësishmja, që të gjitha janë produkte organike të zonës.
Kujtdo, pasi sheh një “arsenal” të tillë mallrash e produktesh gati për t’u shitur, sidomos një laiku si unë, do t’i lindte një pyetje dyshuese: Mos vallë prifti italian i Kçirës, përveç punëve të Zotit, kishte gjetur një mënyrë për të përfituar? Këtë pyetje nuk ngurova t’ia bëj ballazi Dom Xhovanit, i cili nuk u mërzit aspak, por dhe nuk shfaqi asnjë tendencë për t’i devijuar.
-E di që mund të ketë njerëz që më paragjykojnë. Dikur ju donit të krijonit njeriun e ri, por dështuat. Në vend të tij krijuat një njeri plot paragjykime e të mbushur me mosbesim për këdo dhe për gjithçka. Duhen breza që njerëzit të vijnë në rrugën e Zotit dhe të mendojnë me pozitivitet, dashuri dhe pa paragjykime për njëri-tjetrin. Megjithatë, meqë më bëre një pyetje të tillë unë do t’ju përgjigjem kështu: Jam i gatshëm të shkojmë tek një noter e të firmosim për të ndarë gjysmë për gjysmë fitimet dhe humbjet. Të garantoj që s’do pranosh. Qëllimi ynë nuk është fitimi siç mund ta mendoni ju. Në fund, ai e mbyll me një pasazh nga Bibla me fjalët që shën Gjoni iu drejtua turmës: “Kush ka dy pale petka le t’i ndajë me atë që s’ka. Edhe ai që ka ushqime, le të bëjë kështu.”
Përgjigja e tij duket sikur është e prerë dhe nuk të lejon të bësh koment. Aq më tepër kur dëgjojmë nga njerz të tjerë për sakrificat dhe jetën e tij të thjeshtë. Dikush na tha që ai u paguan dritat disa familjeve të varfëra, diku tjetër shlyen detyrimet e listave të ushqimeve, dikujt i paguan ilaçet, shpeshherë e gjen duke organizuar aktivitete edukuese dhe argëtuese për të rinjtë. E çfarë mund të bënte më tepër një famulltar i thjeshtë që edhe pantallonat e tij ka kohë që s’i ndërron, por kujdeset, si nënat tona dikur, që t’u zgjasë sa më shumë jetën vetëm me një gjilpërë e një fije pe?!
-Unë desha vetëm sa të ndez makinën, sepse jam i sigurt që një ditë ajo do ecë vetë – përfundon ligjërimin Dom Xhovani.
Nuk kam ç’të them. Largohem nga Puka, duke i premtuar Dom Xhovanit se të dielën e parë do rikthehem në Kçirë e ta ndjek meshën e tij. Dhe ashtu bëj.

Mesha e së dielës
Është ftohtë. Besimtarët kanë mbushur kishën plot, ndërsa disa murgesha të ardhura nga Puka ndihmojnë për të vendosur në vende të dukshme ca afishe që lajmërojnë se sot është dita e Caritasit.
Unë afrohem pranë një gruaje që ka ardhur me 4 fëmijët e saj dhe, përveç të tjerash, si kureshtar që jam, dua të mësoj më shumë se ç’mendojnë banorët për Dom Xhovanin dhe aktivitetit të tij bamirës. Emri i saj është Bardha Gjona. Pa mbaruar mirë pyetjen, ajo s’më le të mbaroj dhe përgjigjet në gegnishten e saj tingëllonjëse: “Asht’ krejt njeri i mir’. T’gjith’ na e dum shum’ se dhe ai na don’ e na ndihmon me zemën. Nuk kam ç’ka me than ma. Shyqyr q’kena nji njeri të till’ e nji ven’ ku me i shit ato pak gjana që prodhojm’ apo q’i mbledhim n’pyll.”
Ora shkon 11:00 dhe Dom Xhovani, i cili sapo është kthyer nga një meshë tjetër, del para besimtarëve me mantelin e priftit në foltore. Të gjithë ngrihen në këmbë dhe mesha ka filluar. Ndryshe nga herë të tjera, prifti i Kçirës u thotë besimtarëve të vet se ndihet i privilegjuar që në mes tyre ndodhet një miku i tij nga Tirana. Nuk e fsheh që ishte i surprizuar sepse nuk kishte besuar që unë do rikthehesha në Kçirë vetëm për një meshë. A nuk kishte ndodhur njëlloj dhe me mua, disa ditë më parë, që s’kisha besuar në ndërgjegjen e tij?
Jetojmë në një vend të vogël dhe njohim shumë pak njëri-tjetrin. Përhumbur në atmosferën e meshës dhe përfshirë si me magji në njëmendësinë e atyre fshatarëve të devotshëm, më kujtohet shprehja e Dom Xhovanit: “Njerëzit ndonjëherë mendojnë që është më mirë një kasolle në Tiranë se sa një pallat në Pukë, por nuk është ashtu. ”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.