E diel, 18 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
UDHËHEQËSI
Publik News

UDHËHEQËSI

Urim Bajrami

Një makinë luksoze para meje. Rrotull saj, 4 a 5 djem të rinj, me uniformën e truprojës. Në duar mbajnë radio marrëse e dhënëse.

Komunikojnë shpesh. Nuk e di më kë. Mbase me dy civilë, që janë nja 20 metra më tutje. Mbase me dy të tjerë pas tyre. Ose me truprojat që janë lart, në katin e shtatë të një pallati të ri 13-katësh. Ndoshta me policin mbi motor, i cili është mu në mes të rrugës kryesore.

Me gishtin tregues të dorës së djathtë, polici duket sikur u lutet shoferëve: “Një minutë, një minutë…”!

Polici ka ndaluar lëvizjen e makinave. As për lart e as për poshtë.

Makinat shtohen njëra pas tjetrës. Ata nga fundi, që nuk e shohin policin rrugor, u bien borive. Është piku i trafikut në atë rrugë.

Eci dhe po i afrohem policit. Bëj sikur flas në telefon. Ai flet në radio. “Doli?”, pyet ai. “Po del”, vjen përgjigjja në radion e policit. “U vonua pak, ishte në tualet”, shfajësohet zëri matanë radios.

Polici ngre përsëri gishtin tregues të dorës së djathtë dhe u lutet me shenjë shoferëve. Ata kanë filluar ta humbasin durimin.

Një minutë. Dy. Tre…

Makina e udhëheqësit, poshtë pallatit ku ai banon, ngjitur me hyrjen, s’po lëviz. “Duhet të jetë kthyer përsëri në uturak”, bëj shaka me veten. Shaka, por jo gjysma. “Liro rrugën, se u kthye prapë në banjë”, ishte urdhri i radhës në radion e policit rrugor.

Polici, një burrë babaxhan, ngre dorën e djathtë dhe lejon lëvizjen e makinave. Me dorën e majtë fshin djersët e ballit.
Trafiku i lirua.

Një, dy, tre minuta…

“Blloko rrugën, se po del” ishte urdhri i dytë. Polici, sërish të njëjtin ritual. Me gishtin tregues të dorës së djathtë bllokon lëvizjen e makinave. “Ju lutem, një minutë”, duket sikur u thotë.

Bëj sikur flas ende në telefon.

Një minutë, dy, tre…

Ndërkohë, kthej kokën nga makina e udhëheqësit. Nga larg mezi shquaj numrin e parë të targës. 7…

Makina nis të lëvizë. Ngadalë. Shumë ngadalë. 3 minuta për 50 a 60 metra rrugë. “Ndoshta udhëheqësi ka probleme me shëndetin”, mendoj sërish me vete.

Polici ndezi sirenën dhe u nis duke i prirë makinës së udhëheqësit. Pas makinës së liderit, nja tre makina të tjera shoqërimi. Me sirena.

Trafiku u zhbllokua.
Boritë pushuan.
Unë vazhdova rrugën.
Diku ndalova.
Gugëllova CV-në e udhëheqësit.
E gjeta.
Bashkë me moshën.

Ishte 77 vjeç…

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.