E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
80-vjeçarja kthen apartamentin në grumbull mbetjesh
Lajme

80-vjeçarja kthen apartamentin në grumbull mbetjesh

Banorët e pallatit në Laç në alarm për epidemi

Prej vitesh, banorët e një pallati në lagjen 4 të qytetit të Laçit kanë jetuar nën shqetësimin e një situate të rëndë higjieno-sanitare, e cila rrezikonte seriozisht shëndetin e tyre. Në qendër të problemit ishte një grua rreth 80-vjeçe, e cila e kishte kthyer apartamentin e saj në një hapësirë të mbushur me mbetje dhe rroba të mbledhura nga kazanët e plehrave.

Sipas dëshmive të banorëve, kjo situatë kishte të paktën pesë vite që vazhdonte. Çdo ditë, e moshuara sillte në banesë qese me mbeturina, ushqime dhe sende të ndryshme, duke bërë që në të gjithë shkallën e pallatit të përhapej një erë e padurueshme, e shoqëruar me praninë e mizave dhe frikën për përhapjen e infeksioneve.

“Është e pamundur të kalosh në shkallë. Sa herë hap derën, zbresim me hundë të mbyllur nga kati i katërt deri poshtë”, tregoi një nga banoret, ndërsa një tjetër shtoi: “Ajo fut çdo ditë 6-7 çanta me mbeturina brenda. Kemi frikë edhe për ndonjë epidemi.”

Për të verifikuar situatën nga afër, gazetarët e emisionit “Fiks Fare” tentuan të komunikonin me të moshuarën, por ajo refuzoi të hapte derën dhe të lejonte xhirimet. Nga jashtë apartamentit dallohej qartë korridori i mbushur me rroba dhe sende të grumbulluara, ndërsa aroma e rëndë ndihej menjëherë në hyrje.

“Jam e sëmurë… këto i kam për t’i shitur. Ik largohu, nuk dua të më filmoni. Jam në shtëpinë time”, u shpreh ajo shkurtimisht.

Rasti ishte i njohur edhe për shërbimet sociale të bashkisë, të cilat konfirmuan se problematika ishte evidentuar që në qershor të vitit 2025. Sipas tyre, më herët ishte ndërhyrë për pastrimin e banesës, por situata ishte rikthyer sërish. Për shkak se bëhej fjalë për një pronë private, ndërhyrja kërkonte bashkëpunim me institucione të tjera, përfshirë policinë.

Vetëm pas interesimit të “Fiks Fare”, situata gjeti zgjidhje. Djali i të moshuarës ndërhyri dhe realizoi pastrimin e plotë të banesës, ndërsa verifikimet konfirmuan se ambienti ishte rikthyer në kushte normale.

“Ju kërkoj falje që ju bezdisëm, nuk do të ndodhë më”, tha e moshuara pas ndërhyrjes.

Ndërkohë, Drejtoria e Shërbimeve Publike bëri të ditur se në ditët në vijim do të ndërmerret dezinfektimi dhe lyerja e ambientit, me qëllim eliminimin e çdo rreziku për shëndetin e banorëve dhe rikthimin e kushteve të sigurta të jetesës në pallat.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.