Rama, Gjiknuri, Balla, Tahiri …që u pasuruan nga gratë
Kanë fat jo vetëm me pushtetin, por edhe me gratë, të cilat i kanë pasuruar ndjeshëm bashkëshortët e tyre.
I pari ndër “Rilindasit”, Edi Rama, është bashkëpronar i një shtëpie gjigande në Surrel, pjesa më e madhe e të cilit, sipas deklaratës së pasurisë së kryeministrit, është ndërtuar me të ardhurat e bashkëshortes së tij, Linda Rama, në kohën kur mbante mbiemrin Xhillari.
Në deklaratat e pasurisë, kryeministri deklarohet si “bashkëpronar me 50% e ku 50% të tjera pjesë e regjimit martesor me bashkëshorten Lindita Rama, shtëpi banimi me sipërfaqe të padeklaruar, përcaktuar një kat, me vlerë ndërtimi 39 607 741 lekë, vendndodhja e shtëpisë në fshat Surrel, Komuna Dajt, pasuri që justifikohet me dokument leje ndërtimi, momenti i deklarimit pa titull pronësie.
Në deklaratat e pasurisë së kryeministrit nuk ka asnjë shënim se sa është kosto e mobilimit të saj dhe nga kanë buruar financat për sistemin e brendshëm të atyre që konsiderohen si “sarajet e Surrelit”. Gjithësesi, nga shënimet me dorën e tij, kryeministri duket që ka pasur “fat” me gruan sa i përket shumëfishimit të pasurisë.
Damian Gjiknuri, ministër i Infrastrukturës në 5 vitet e fundit, gjithashtu rezulton se ka shumëfishuar pasurinë e tij falë punës së bashkëshortes. Gjiknuri ka blerë një apartament 195 m2, me vlerë totale 270 mijë euro. Sipas deklaratës së pasurisë, ai ka paguar këstin e parë në vlerën 100 mijë euro, shumë e cila ka buruar nga një kredi në një bankë të nivelit të dytë.
Shuma e kredisë është goxha e lartë për një apartament, por Gjiknuri duket se e ka zgjidhur se si do e paguajë-bashkëshortja e tij ka deklaruar vetëm për vitin 2017 një fitim prej 9.1 milionë lekë të reja nga biznesi privat. Gjiknuri ka përfituar nga paga e tij si ministër shumën prej 1.5 milionë lekë të reja, gati 6 herë më pak se bashkëshortja e tij. Pra, edhe Gjiknuri, si “kryerilindasi” Edi Rama, ka pasur fat me rritjen e pasurisë, falë bashkëshortes.
Taulant Balla, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, është një tjetër “rilindas” që ka pasur fat në pasuri, pas nisjes së jetës bashkëshortore. Ai vetë ka marrë një apartament me kredi në vitin 2006. Po në të njëjtin vit, kohë kur nuk ishte bashkëshorte e Ballës, zonja e tij rezulton se ka marrë një apartament me kredi.
Më pas, si rrjedhojë e angazhimit në një kompani private telefonie, bashkëshortja e Ballës rrit në mënyrë të ndjeshme të ardhurat dhe llogaritë bankare. Në deklaratat e pasurisë, bashkëshortja e Taulantit figuron me 7 llogari bankare, si edhe me një vresht 2000m2 në Lundër Tiranë, si edhe me të ardhura vjetore shumë më të mëdha se politikani kryesor i socialistëve.
Edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimi Tahiri, rezulton që të kontribuonte financiarisht në shtëpi shumë më pak se bashkëshortja e tij. Tahiri ka deklaruar ndër vite pagën e tij si ministër dhe deputetit. Ndërsa bashkëshortja e tij rezulton që është e punësuar, në mësimdhënie, në sektorin privat dhe në organizata qeveritare, nga të cilat, sipas deklaratave zyrtare të pasurisë, ka siguruar të ardhura më të larta se bashkëshorti i saj, i cili ka mbajtur një post shumë të rëndësishëm në kabinetin qeveritar “Rama 1”.
Besojini nëse doni, qeveritarët e lartë shqiptarë mbahen me lekët e grave!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



