E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Djegia e mandateve/ Takimi i ambasadorëve me Ramën, SHBA dhe BE-ja po tentojnë…
Politikë

Djegia e mandateve/ Takimi i ambasadorëve me Ramën, SHBA dhe BE-ja po tentojnë…

Pas deklaratës edhe të LSIsë për djegien e mandateve të deputetëve, ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca dhe e ngarkuara me punë e ambasadës amerikane në Shqipëri, Leyla MosesOnes, zhvilluan një takim në Kryeministri me kreun e qeverisë, Edi Rama.

Pas takimit nuk pati asnjë deklaratë dhe asnjë qëndrim nga të dy përfaqësitë diplomatike në Tiranë për vendimin e dy partive opozitare. Mësohet se SHBA dhe BE-ja po tentojnë që të gjejnë një zgjidhje mes palëve për të shmangur krizën institucionale.

Ndërkombëtarët dënuan dhunën e ushtruar të shtunën nga përfaqësues të opozitës, të cilët iu përgjigjën thirrjes për të protestuar para Kryeministrisë. Ndërsa kryetari demokrat Lulzim Basha kishte mbledhur Grupin Parlamentar për të diskutuar djegien e mandateve, kreu i qeverisë Edi Rama në mbledhjen me kryesinë e PS dhe me Grupin Parlamentar, u shpreh skeptik për suksesin e djegies së mandateve.

“Opozita dështoi me sukses të plotë ne orvatjen e saj të dëshpëruar dhe tani premton djegie mandatesh. Nëse djegia e mandateve nuk është një tjetër ballo me maska e Lulzim Bashës, pra, një çadër në forme bojkoti para zgjedhjeve të qershorit, do të jetë sidoqoftë e vështirë të realizohet konsensusi mes tyre. Dhe Lulzimi e di këtë, por luan blofin”, mësohet të jetë shprehur Rama në takimin me dyer të mbyllura. Ai u ka kërkuar deputetëve të tij që cilido qoftë pozicioni i opozitës, brenda ose jashtë Parlamentit, PS të punojë për të fituar zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

“Sidoqoftë, ne do te ecim drejt, duke dëgjuar njerëzit, duke e përmirësuar çdo ditë qeverisjen, duke u organizuar me mirë se asnjëherë për zgjedhjet vendore. Hyjnë nuk hyjnë ata në zgjedhje, ne duhet të fitojmë jo thjesht votat e shumicës, po zemrat e besimin e edhe më shumë qytetarëve se sa herën e shkuar”, është shprehur Kryeministri. Duke folur për protestën e së shtunës së opozitës, kreu i qeverisë ka përgëzuar punën e Policisë dhe të ministrit të Brendshëm, për menaxhimin e saj.

“Të përgëzojmë e falënderojmë të gjithë së bashku ministrin e Brendshëm e përmes tij drejtuesit e punonjësit e Policisë së Shtetit për menaxhimin e shkëlqyer të një proteste të gatuar për dhunë e për destabilizim. Kush kërkoi dhunë u përball me një model krejt të ndryshëm sjelljeje të pushtetit ndaj protestuesve, përkundër modelit kriminal të atyre që dje vranë protestuesit, sot duan të vrasin shpresën europiane të shqiptarëve”, deklaroi Rama.

Nisur nga incidenti i fundit në Parlament me nënkryetarin e tij, Edi Paloka, Grupi Parlamentar Socialist vendosi ngritjen e një grupi pune, të drejtuar nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, i cili do të propozojë ndryshime në rregulloren e Kuvendit, duke përfshirë sanksione të forta për të dënuar çdo shfaqje dhune verbale apo fizike në sallën e Parlamentit apo komisioneve parlamentare.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.