Propozimet e opozitës / Nga Kodi Zgjedhor te mandati i Kryeministrit, aleatët e PD, platformë për zgjidhjen e krizës
Opozita, krahas largimit të Kryeministrit Rama dhe organizimit të zgjedhjeve të parakohshme, ka kërkuar ndryshime të thella kushtetuese që parashikojnë kufizimin e mandateve për Presidentin e Republikës dhe Kryeministrin.

Grupimi i partive të qendrës së djathtë ka paraqitur sot një platformë për zgjidhjen e krizës politike. Duke i qëndruar besnikë marrëveshjes së firmosur për të qenë pjesë e një koalicioni opozitar, krerët e PRsë, LZHK-së, PDK-së, PAAsë dhe PBDNJ-së e shohin të pamundur zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Në platformën politike, Mediu, Shehi, Ndoka, Duka dhe Dule, shohin si zgjidhje krijimin e një qeverie tranzitore pa Edi Ramën Kryeministër për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. KODI Por si zgjidhje për krizën politike, në të cilën ndodhet vendi, krerët e partive të qendrës së djathtë nuk shohin vetëm largimin e qeverisë dhe ardhjen e demokratëve në pushtet. Pesë ish-deputetët e Parlamentit shohin edhe ndërtimin e një profili të ri kushtetues dhe mbi të gjitha ndryshimin e sistemit politik.
Për këtë arsye, në platformën e tyre që do të prezantojnë sot, Mediu, Shehi, Ndoka, Duka dhe Dule do të kërkojnë kufizim të mandateve për të gjithë titullarët e institucioneve kryesore në vend.
Opozita ka kërkuar kufizim të mandatit për Presidentin e Republikës, Kryeministrin, kryetarët e bashkive etj.. Pasi ia kërkuan Partisë Demokratike në tryezën e opozitës, grupimi i partive të qendrës së djathtë ka parashikuar në platformën e tyre edhe ndryshimin e sistemit zgjedhor në vend. Krerët e pesë partive të djathta kërkojnë nisjen e një debati të gjerë për këto ndryshime.
PRESIDENTI
Platforma për zgjidhjen e krizës politike në vend vjen 24 orë përpara se grupimi i partive të qendrës së djathtë të zhvillojë një takim me Presidentin e Republikës, Ilir Meta. Krerët e PR-së, LZHKsë, PDK-së, PAA-së dhe PBDNJ-së kërkuan një tryezë me kreun e shtetit për krizën politike pas takimeve që zhvilluan një javë më parë me ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca, dhe ambasadorin e OSBE-së, Bernd Borchardt.
“Ne do t’i kërkojmë Presidentit të Republikës që të thërrasë një tryezë të pozitës dhe opozitës për të zgjidhur këtë situatë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Çdo gjë tjetër do të ishte shkatërruese për vendin. Soreca dhe të gjithë janë në mbështetje të dialogut. Të arrijmë të garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe përfaqësimin e të gjithë subjekteve politike. Çdo lojë tjetër do të ishte shkatërruese për vendin dhe në këtë moment, ne si forca politike mendojmë se është përgjegjësia jonë që të negociojmë me të gjitha palët dhe institucionet që duhet ta mundësojnë këtë dialog. Kështu kemi vepruar me OSBE-në, ia kërkuam ambasadorit Soreca dhe jemi vlerësues që ai pranoi të diskutojë me ne që të shikojmë një hapësirë për të mbështetur një dialog të vlefshëm për interesat e vendit”, tha Mediu pas takimit.
Opozita ka deklaruar se nuk do të hyjë në zgjedhjet vendore nëse Kryeministri Rama nuk do të pranojë t’i bindet vullnetit të shqiptarëve, duke i hapur rrugë krijimit të një qeverie tranzitore. Kreu i opozitës, Lulzim Basha, deklaroi pas nënshkrimit me partitë e tjera opozitare se më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje dhe se opozita dhe qytetarët do të bëjnë gjithçka për të pamundësuar një proces fasadë.
PLATFORMA PËR KRIZËN
PARTITË E QENDRËS SË DJATHTË
Partia Republikane Fatmir Mediu
Partia Agrare Ambientaliste Agron Duka
Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar Dashamir Shehi
Partia Demokristiane Nard Ndoka
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut Vangjel Dule
PLATFORMA POLITIKE
Zgjedhje të lira dhe të ndershme
Krijimi i një qeverie tranzitore
Përgatitja për zgjedhje të parakohshme
Ndryshimi i sistemit zgjedhor
Ndërtimi i një profili të ri kushtetues
Kufizimi i mandateve (Kryeministrit dhe Presidentit)
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



