“ Dora ime është e shtrirë”, Kryeministri flet për marrëdhënien me opozitën: Nëse duan marrëveshje do ta kenë…
Kreu i qeverisë ka folur për marrëdhëniet që do të ketë me opozitën jashtë parlamentit, për të cilin tha se do të ketë dorën gjithmonë të shtrirë, por për një marrëveshje pa kushte.
Rama ka thënë se nëse duan paqe, paqe do kenë, por sipas tij reforma në drejtësi nuk negociohet dhe as diskutohet.
“Nëse duan paqe politike paqe do të kenë vetëm duke u tërhequr nga sulmet kundër Shqipërisë në gjuhë të huaj.
Nëse duan marrëveshje për Shqipërinë, marrëveshje do të kenë pa kushte. Dora ime është e shtrirë, reforma zgjedhore mbetet një sfidë e përbashkët me opozitën parlamentare dhe jo parlamentare.
Kjo e fundit ka një karrige bosh në komision, ndërsa reforma në drejtësi nuk negociohet dhe as diskutohet por vetëm mbështetet. Nuk kam as deponimin minimal për asnjë pazar politik për ndjenjat e askujt”, ka thënë ai.
Kreu i qeverisë, ka thënë se Partia Socialiste do të fillojë të ndryshojë dhe të analizojë qeverisjen e saj në nivel qendror dhe vendor, pas votimeve të 30 qershorit.
Rama ka deklaruar se PS pas këtyre votimeve ka marrë një borxh marramendës, ndërkohë që ka theksuar se do të nis të programojë korrigjimet e nevojshme.
“Kjo meritë është shumë sigurisht, nuk është pak. Nga nesër, 30 qershori është thjesht histori. Ndërsa vitet që do ta pasojnë, nga nesër dhe fundit të mandatit qeverisës dhe katër vitet e mandatit të vendorëve. Është një borxh marramendës, por unë e pranoj, nuk iki, megjithëse sfida nga sot është shumë më e vështirë.
Në muajin korrik do të zhvillojmë një debat të brendshëm në funksion të sfidës tashmë tej mase të vështirësuar për të analizuar situatën në familjen tonë politike duke u mbështetur tek shembujt e suksesshëm organizativë që sot nuk munguan.
Një debat për të analizuar edhe pozicionin tonë të ri qoftë me opozitën parlamentare dhe jo parlamentare. Plaga e hapur kërkon kurim dhe ne do të bëjmë çmos. Sot janë aty ku e meritojnë në gropën ku duan të fusin Shqipërinë, drejtësinë dhe qeverinë”, ka thënë ai.
Më tej Rama shtoi se nuk do të ketë asnjë largim nga puna për personat që janë aktualisht në bashkitë që drejtoheshin nga të djathtët.
“Asnjë grua apo vajzë nuk do të largohet nga puna më bashkitë e djathta që nga sot u ka mbaruar mandati. Shqipëria e këtij 30 qershori nuk fitoi për të majtën por fitoi për të drejtën.
Administratat e bashkive të djathta do të vlerësohen vetëm nga pikë shikimi i së drejtës. Ne duhet të reflektojmë menjëherë mbi nevojën urgjente të një përqafimi të sinqertë të të gjithë njerëzve mbi vlerat e meritës.
Është koha për një politikë të re në raport me njerëzit e zakonshëm. Respekt cilit do që sot mori pjesë në ndëshkimin final të revolucionit skandaloz imagjinar”, tha ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



