PS e Shkodrës, rezultat zhgënjyes me 4 vite më parë kur Keti Bazhdari luftoi e vetme!
30 qershori pa diskutim mund të cilësohet si shuplaka e fortë për socialistët dhe deputetët e qarkut Shkodër. Shifrat flasin qartë që kandidati i Partisë Socialiste për këtë bashki ka realizuar më pak se gjysmën votave që siguroi Bazhdari në vitin 2015, edhe pse ajo humbi, edhe si shkak i kulisave që u krijuan nga vetë e majta në Shkodër me një diferencë prej 10 mijë votash me Voltana Ademin dhe një PD tejet të mobilizuar.
Kandidatja e 4 viteve më pare siguroi plot 28200 vota, e vetme duke patur kundër deputetët dhe në mënyrë të veçantë Tom Doshin.
Ndërkohe Valdrin Pjetri, edhe pse i promovuar dhe me mbështetjen e fortë të deputetit Tom Doshit, të cilen Edi Rama e riafroi enkas këtë fushatë për të kompensuar votat e humbura në 2015 si dhe me thirrjet e pandalshme të znj Senida Mesi, ish zv/kryeministre dhe të një ish ministri në krah, arriti të çojë tek kutia e votimit më pak se gjysmën e atyre që çoi Bazhdari, rreth 13000 votues, duke mbetur kështu në pragun e siguruar nga PS subjekt në vitin 2015, ku sipas KQZ u morën rreth 11 mijë vota për këtë subjekt.
Do të thotë se askush përveç atyre socialistëve fanatike, që votojnë me sy mbyllur e që në Shkodër janë si ujët e pakët, nuk e pau Valdrin Pjetrin si alternativë, edhe pse pa asnjë kundërshtar përballë. Shkodra këto votime numëroi pjesëmarrjen më të ulët historike, i cilësuar ndryshe rekordi historik negativ i 29 viteve pluralizëm.
Kjo meriton që Rama të zgjohet e të bëjë një analize të fortë shifrash dhe faktesh së pari për të kuptuar që në zgjedhje nuk hyhet turk e trim si dhe për të kuptuar me sy të lirë tradhëtinë e madhe të para 4 viteve në këtë qark. Farsa elektorale u pa qartazi, ashtu si loja e dobët e figurave dhe deputetëve, por edhe strukturave që tashmë do të vërsulen të shqyejnë copën e tortës, ashtu siç bënë me sulmet e pafundme kur 4 vite më pare humbi kandidatja Bazhdari./ShkodraNews
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



