Kreu i Grupit të PS: Ja pse ka fituar Arta Vorpsi
Kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla në një deklaratë për mediat bën me dije se i është drejtuar Kuvendit për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta duke treguar shkelje të reja.
“I jam drejtuar Kuvendit për shkarkimin e Presidentit. Shkelja e Kushtetutës është bërë kronike nga ana e Metës. Veprimet dhe mosveprimet e tij të fundit do të bëhen pjesë e Komisionit Hetimor. Presidenti ka nxjerrë një dekret në 13 nëntor për emërimin e Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës. Në këtë rast ka vepruar përtej kompetencës së tij ligjore dhe kushtetuese. Ky veprim ka sjellë edhe pasoja të rëndë të legjitimimit të Kushtetueses. Arta Vorpsi e ka fituar në bazë të Kushtetutës dhe ligjit mandatin e anëtarit të Gjykatës.
I pyetur pse shqiptarët duhet të besojë socialistët, sipas të cilëve Xhaferllari nuk duhet të jetë anëtare e Gjykatës dhe Arta Vorpsi po, Balla tha se dekreti për Xhaferllarin është i paligjshëm dhe kjo mund të kuptohet fare drejtë në rezolutën e miratuar nga Kuvendi ditën e premte (15 nëntor).
“Lexoni rezolutën e Kuvendit miratuar të premten. Presidenti duhet të punojë për legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese. Dekreti për Marsida Xhaferllarin konsiderohet i paligjshëm referuar rezolutës së Kuvendit. Kush nuk zbaton Kushtetutën duhet të marri përgjegjësitë që i takon. Xhaferllari nuk mund të jetë anëtare e Gjykatës Kushtetuese sepse nuk është zgjedhur në atë pozicion sipas Kushtetutës”, tha Balla.
Një ndër shkeljet që do të renditen kundër Presidentit në Komisionin Hetimor është dekretimi i Marsida Xhaferllarit, si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla reagoi në lidhje me komentet se kreu i shtetit, Ilir Meta, mund të firmosë shpërndarjen e Kuvendit.
Sipas Ballës, Meta sheh ëndrra me sy hapur.
“Presidenti i Republikës sheh ëndrra me sy hapur, kur flet gjoja me dekrete për të shpërndarë parlamentin. Mos harrojmë të vetmen lidhje që ka Presidenti me Kuvendin, është vetëm ajo e thërritjes së seancës së parë të parlamentit”, u shpreh Balla.
Në një dalje publike nga Kryesia e Kuvendit, kreu i grupit të PS-së Taulant Balla tha se mazhoranca do të vazhdojë veprimet për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, duke i dërguar Komisionit Hetimor materiale të reja shtesë për veprimet apo mosveprimet në rastin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



