Murrizi bën ironi: Do dënoni ‘Zogun e Tiranës’, e keni përdorur për vota. Na thoni kur do jetë tërmeti tjetër?
Deputeti i opozitës së re, Myslim Murrizi, njëkohësisht edhe nënkryetar i Kuvendit tha se nuk ka mbetur më pikë dinjiteti në këtë shtet duke akuzuar maxhorancën se e ka ndryshuar kodin penal ‘si i do qejfi’.
“Do ishte mirë që amnistia të bëhej para vitit të ri. Nuk ka mbetur më pikë dinjiteti në këtë shtet e qeveri. E keni ndryshuar Kodin Penal si ju do qejfi. Do dënoni ‘Zogun e Tiranës’, e keni përdorur për vota”, tha Murrizi duke iu drejtuar deputetes socialiste Ermonela Felaj.
Ndërkohë duke folur me ironi, ai i kërkoi ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj të thotë kur është tërmeti tjetër.
“Do të vlerësoja shumë nëse je parashikuese. Na thuaj kur do jetë tërmeti tjetër?”, u shpreh Murrizi.
Komisioni i Sigurisë miratoi këtë të mërkurë në parim projektligjin për amnistinë i propozuar nga qeveria që u jep mundësinë 164 personave të fitojnë lirinë.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e pranishme në komision tha se qeveria në hartimin e projektligjit “Për Dhënie Amnistie” ka qenë e kufizuar në përcaktimin e kategorive, duke qenë strikte sa i takon kategorive të të dënuarve me rrezikshmëri të lartë.
“Rastet e fundit, ku kemi pasur lirimin e disa subjekteve kriminale me rrezikshmëri të lartë, me dënime alternative siç kanë qenë lirimet me kusht për të cilat edhe unë si ministër Drejtësie kam marrë masat dhe kam reaguar, duke kërkuar nga institucionet e drejtësisë reagimin e përshtatshëm lidhur me vendime të tilla të paligjshme në konsideratat e mia dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe për këtë arsye kemi qenë shumë të fokusuar për të kuptuar dhe për të qenë të kufizuar lidhur me kriteret dhe kategoritë të atyre që do të përfitojnë nga kjo amnisti. Për hir të së vërtetës ka një problematikë, ku edhe nga amnistitë e mëparshme që janë dhënë apo propozuar nga ministrat e mëparshëm të drejtësisë, janë përfshirë të gjitha kategoritë pa vënë kritere ndaluese, duke i krijuar mundësinë e përftimit edhe subjekteve kriminale me rrezikshmëri të lartë. Nëse sot apo më përpara në gjykata ka njohje të amnistisë edhe për subjekte kriminale që janë dërguar me burgim të përjetshëm apo dënime të larta, ato kanë përfituar edhe nga amnistitë e mëparshme. Kjo është vërtetuar edhe nga një studim që Ministria e Drejtësisë i ka bërë të gjitha amnistive që nga viti 2012 deri në vitin 2016, ku kategori të caktuara që lidhen me rrezikshmërinë e lartë shoqërore, kanë përfituar amnisti duke iu ulur dënimi me 1 apo 1.5 dhe 2 vite”, -tha ministrja Gjonaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



