Komisioni i Venecias zbardh draft-raportin për paketën antishpifje. Çfarë i kërkohet qeverisë shqiptare
Paketa antishpifje e qeverisë shqiptare është rrëzuar në Komisionin e Venecias, i cili kërkon rishikimin e tij.
Paketa u dërgua për shqyrtim në këtë Komision nga Këshilli i Evropës në një rast të pa precedentë nga ana e këtij Këshilli.
“Përbërja e AMA-s dhe Komiteti i Ankesave, i cili zgjidhet nga AMA në bazë të rregullave të hartuara nga AMA, mund të krijojë shqetësime të ligjshme për pavarësinë e këtyre dy organeve. Prania e përfaqësuesve të komunitetit të medias dhe shoqërisë civile që nuk janë të lidhur drejtpërdrejt me forcat kryesore politike, mund të jetë një hap që forcon pavarësinë e këtij organi.
Së dyti, është e paqartë nëse anëtarët e AMA-së dhe të Komitetit të Ankesave janë mjaftueshëm të pavarur nga industria e madhe e mediave, në bazë të rregullave për papajtueshmërinë dhe konfliktin e interesit”, thuhet midis të tjerash në raport, një kopje të të cilit e disponon Panorama.
Komisioni shpreh shqetësime për gjobat e larta në rast të shkeljes së ligjit nga faqet online.
“Jashtëzakonisht problematike për lirinë e mediave në kontekstin shqiptar është natyra e ashpër dhe me efekte të mëdha negative e gjobave. Gjobat jashtëzakonisht të larta paraqesin një kërcënim me efekt pothuajse aq të ftohtë sa burgimi, megjithëse më shumë tinëzarë’ mund të shihet një mënyrë indirekte për të ushtruar presion në media”, thuhet më tej.
Raporti thotë gjithashtu se nuk mbështet parashikimet ligjore, të cilat nuk garantojnë pezullim të gjobave ndaj mediave ‘online’ në rast ankimimi në gjykatë, duke kërkuar gjithashtu që sanksionet e rënda nuk duhet të zbatohen menjëherë.
“Procedurat gjyqësore në raste të tilla duhet të kenë një efekt pezullues dhe gjykatat duhet të kenë fuqinë të rishikojnë përmbajtjen e vendimeve në kuadrin e procedurave të cilat ofrojnë garanci themelore të gjykimit të drejtë”, thekson gjithashtu raporti.
Në konkluzionet e Komisionit të Venecias thuhet se projekt-amandamentet nuk janë të gatshme për miratim në formën e tyre aktuale.
“Ligji vuan nga paqartësia dhe ka të ngjarë të ketë një ‘efekt të ftohtë’ që shtyp lirinë e medias dhe fjalimin politik në sektorin shqiptar të Internetit”, thuhet më tej.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




