E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
KPK shkarkon nga detyra ish-prokurorin e Krimeve të Rënda Blerim Tominaj
Publik News

KPK shkarkon nga detyra ish-prokurorin e Krimeve të Rënda Blerim Tominaj

Komisioni i Pavarur i Kulifikimit ka vendosur të shkarkojë nga detyra Blerim Tominajn, ish-prokuror i Krimeve të Rënda.

Tominaj mbente postin e prokurorit në Prokurorinë e tiranës, ndërsa KPK gjatë procesit të rivlerësimit ka gjetur parregullsi në dosjen e tij.

Blerim Tominaj e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe punoi për më shumë se një dekadë si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Në vitin 2014, ai u emërua zv.drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe vazhdoi të punonte në këtë prokurori deri në shkrirjen e saj në dhjetor 2019.

Aktualisht, Tominaj është komanduar si prokuror në Prokurorinë e Tiranës.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

Prokurori Blerim Tominaj deklaronte pasuri me vlerë 1.8 milionë lekë në vitin 2003, ndërkohë që në fund të vitit 2017, pasuria e tij familjare është rritur me 28 herë dhe kap vlerën e 50.7 milionë lekëve.

Pasuritë e patundshme zënë pjesën kryesore, duke kapur vlerën e 48 milionë lekëve, ndërkohë që prokurori Tominaj deklaron gjithashtu likujditete të akumuluara në cash prej 2.2 milionë lekësh, likujditete në bankë prej 9420 lekësh dhe një automjet me vlerë 500 mijë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 25 milionë lekë. Rreth 70% e të ardhurave kanë si burim pagën nga funksioni i prokurorit, 22% pagat e familjarëve dhe 7% janë të ardhura të siguruara nga dhënia me qira e një lokali.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 14 deklaratat që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, tre prej tyre rezultuan me probleme.

Prokurori Blerim Tominaj rezulton me pasuri të pajustifikuar në vlerën e 3.6 milionë lekëve për vitet 2011, 2012 dhe 2013. Diferencat negative lidhen kryesisht me blerjen e një lokali me vlerë 140 mijë euro përmes huave.

Në vitin 2010, prokurori Tominaj deklaron një huamarrje prej 100 mijë eurosh për blerje apartamenti- por që ndryshon destinacion dhe në vitin 2011 përdoret për blerjen e një lokali me vlerë 140 mijë euro. Për këtë qëllim, subjekti deklaron edhe një hua të dytë prej 8 mijë eurosh.

Nga totali i huave prej 108 mijë eurosh, prokurori Tominaj ka shlyer 61 mijë euro dhe në fund të vitit 2017 rezulton të ketë ende pa shlyer vlerën e 47 mijë eurove.

Në vitin 2016, pasuritë e patundshme të subjektit shtohen edhe me një apartament dhe një lokal në Durrës me vlerë 170 mijë euro. Të dy pronat janë përfituar me dëshmi trashëgimie pas një kontrate sipërmarrjeje me kompaninë e ndërtimit LIM-EM.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.