Kryeministri Edi Rama thotë prerë se PS nuk ka asnjë detyrim ndaj PD dhe LSI përveç marrëveshjes së 5 qershorit e megjithatë duket se kërkon të bindë palët për ndryshimet Kushtetuese.
Shefi i qeverisë, propozon që ndryshimet Kushtetuese të diskutohen në tryezën e Këshillit Politik, në prezencë të të gjithë aktorëve.
“PS nuk ka asnjë obligim ndaj PD LSI përveç marrëveshjes së 5 qershorit, të cilën do ta mbështesë deri në fund! Por nëse opozita presidenciale (OP) mendon se nisma zyrtare kushtetuese ia vlen të diskutohet në Këshillin Politik,PS s’ka si të jetë kundër, madje megjithë OP në tryezë”, shkruan Rama teksa shton se është gati që të hënën të shkojë vetë në Këshillin Politik ku fton tërthorazi edhe Ilir Metën me Lulzim Bashën.
“PS e ka gjithë vullnetin të bëjë çdo përpjekje për ta bindur PD LSI OP për dobinë që nisma kushtetuese ka për Shqipërinë,e unë jam i gatshëm të shkoj vetë në Këshillin Politik këtë herë, ku po erdhi dhe LB apo edhe IM nëse dëshirojnë, do jetë edhe më mirë padyshim. Gati që të hënën”, shkruan Rama.



