Qeveria dhe Komiteti duket se nuk e kanë idenë se sa shqiptarë janë aktualisht të sëmurë me Covid-19
Duket se nuk ja kanë idenë se çfarë po ndodh në shtëpitë tona, në qytete e fshatra.
“Fajtorë” për këtë janë Shqiptarët, të cilët nuk besojnë se Qeveria dhe Komiteti mund të kujdesen për shëndetin e tyre. Mungesa e besimit tradicional ndaj qeverisë u shtua shumë kur ata kuptuan sesi Qeveria e tyre u tall me paketat 1 dhe 2 të “ndihmës” në muajt e izolimit – ato ishin qesharake dhe më të ulëtat në rajon.
Mungesa e besimit tek Qeveria dhe Komiteti u vulos kur bosja e Check Up-it, PPP-së më të rëndësishme për ruajtjen e shëndetit të shqiptarëve, që paguhet nga taksat dhe borxhet e shqiptarëve, sapo u prek nga sëmundja ja besoi veten sistemit shëndetësor zviceran dhe jo atij shqiptar. Shqiptarët sytë në ballë i kanë.
Ajo që po ndodh në realitet, thuajse në çdo shtëpi, është një harxhim i madh financiar – në shumë raste me para të marra borxh – për testimet, skanerat, ilaçet, oksigjenin – dhe sa më shumë zgjat kjo epidemi aq më të varfër do jenë shqiptarët në fund të ditës.
Në kushtet e Shëndetësisë Falas që ofron qeveria, harxhimi kryhet në klinika private, në farmaci, në çdo spital, por sidomos në shtëpitë tona të kthyera në spitale ku shërbejnë mjekë e infermierë me tarifa ditore sikur të ishin Ronaldo portugez – por këtë e kemi ves, se edhe për vit të ri e rrisim çmimin e gjelit, sikur ky i fundit të ishte Ronaldo i vërtetë.
Mos flasim për aparatet e oksigjenit, të cilat deri dje mund t’i merrje me qira, ndërsa sot je i detyruar t’i blesh. Të thuash se qindra mijë shqiptare po zbresin me shpejtësi nën kufirin e varfërisë, pasi shërbimet shëndetësore të premtuara falas, po i pagujanë me shtrenjtë se në Gjermani apo Danimarkë, është pak po e vërtetë.
Ajo që po ndodh në realitet është se shumica e Shqiptarëve të sëmurë me Covid-19 po punojnë. Po punojnë aq sa mundin. Çika çika, copa, copa, se u duhen paratë, për të bërë testimet, për të blerë ilaçet, për të paguar faturat, për të mbajtur familjen. Në vend që të pushojnë se janë të sëmurë punojnë gjithë ditën. Punojnë jashtë shtëpisë, por në masë edhe nga shtëpitë, me fëmijët nëpër këmbë, me gjyshërit që duan kujdes.
Në vend që të pushojnë dhe të kurohen, të rimëkëmben … ata janë të detyruar të punojnë se pastaj i bie që më shumë se nga Covidi të vdesin nga uria. Të thuash se shqiptarët anembanë Shqipërisë, në qytete e fshatra po sfiliten fizikisht e mendërisht, është pak, por dhe shumë e vërtetë.
Si përfundim, është për t’i thënë Qeverisë dhe Komitetit, se në fund të kësaj historie ku pretenduan e pretendojnë se po kujdesen për ne, do kenë përballë një popull shqiptar të varfëruar dhe të sfilitur si kurrë ndonjëherë që prej kohës së tollonit. Apo ja kishin idenë që në fillim ?!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



