Masakroi kunatën me thikë në sy të vajzës, dënohet me burgim të përjetshëm Erdet Çapoku
Gjykata e Tiranës ka vendosur që të dënojë me burgim të përjetshëm Erdet Çapokun, i cili vrau me thikë kunatën e tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi 9 muaj më parë në zonën e Paskuqanit në Tiranë. 34-vjeçari ka shkuar në banesën e kunatës dhe pasi ka shqyer derën është futur në dhomën e gjumit të viktimës, aty ku ka kryer dhe aktin makabër. Erdeti fillimisht e ka goditur me levë Enkeledën dhe pasi e ka lënë pa ndjenja i ka prerë me thikë në fytyrën, hundën si dhe damarët e dorës.
Ajo nuk ka mundur t’u rezistojë plagëve dhe ka ndërruar jetë pa shkuar në spital.
Viktima Enkeleda Çapoku jetonte se bashku me nënën dhe vajzën e saj. Ndërkohë që bashkëshorti ndodhej prej kohësh në burg.
Kunati i saj pretendoi në gjykatë se e vrau Enkeledën për shkak se ajo e kishte denoncuar në polici për përndjekje. Prej kohësh ai ishte vënë pas viktimës dhe i bënte foto e video teksa ecte në rrugë.
Gjatë seancës gjyqësore, Erdet Çapoku e ka pranuar krimin e tij dhe ka shfaqur pendesë.
“Unë kisha investuar tërë lekët e mia për të rritur mbesën e të ushqehej Enkeleda. Sa herë që ajo më kërkonte lekë, unë ia jepja dhe shkoja mirë me të, por pasi ajo u betua se do më fuste në burg, edhe unë u betova që ta vrisja sepse më kishte marrë tërë lekët e punës sime. Nuk kisha asnjë faj”, mësohet të ketë thënë Çapoku në gjykatë.
Ai është dënuar me burgim të përjetshëm dhe nuk mund të përfitojë ulje të dënimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



