E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Prokurorja e Tiranës Lindita Ziguri del në vetting, KPK gjen mungesë burimesh për shpenzimet e saj
Publik News

Prokurorja e Tiranës Lindita Ziguri del në vetting, KPK gjen mungesë burimesh për shpenzimet e saj

Prokurorja e Rrethit Tiranë, Lindita Ziguri u përball të premten më 8 janar me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të tri kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Trupa gjyqësore që po kryen procesin e vetingut për Zigurin kryesohet nga Olsi Komici, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tomçi Petkoviç.

Lindita Ziguri (Male) e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2002 dhe ka punuar për më shumë se një dekadë si prokurore në Prokurorinë e Tiranës. Në dhjetor 2020, Ziguri u komandua si inspektore në institucionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Për një apartament 68.8 m2 të blerë në Tiranë në vitin 2008, prokurorja ka shënuar si burime në deklaratën periodike një kredi në vlerën 30 mijë euro dhe një hua në shumën 5000 euro të marra nga daja e saj. Në deklaratën veting, veç dy burimeve ka shënuar edhe vlerën 3000 euro nga kursimet.

Komisioni konstatoi pamundësinë e huadhënësit për të kursyer në vitin 2008 vlerën 5000 euro që i ka dhënë subjektit të rivlerësimit për blerjen e apartamentit.

“Shuma e të ardhurave të huadhënësit ka rezultuar pothuajse e barabartë me shpenzimet e familjes së tij,” tha Pine. Ajo tha se subjektit i është kaluar barra e provës për të vërtetuar mundësinë e dajës për dhënien e huasë.

Relatorja Pine pohoi se në analizën financiare të kryer për mundësinë e blerjes së apartamentit nuk është përfshirë vlera 5000 euro e marrë hua dhe për pasojë është konstatuar një balancë negative në vlerën 998 mijë lekë.

Prokurorja Ziguri tha në seancë se kishte siguruar dokumentacion dhe prova të reja që vërtetonin se daja i saj kishte punuar 37 vjet në disa firma të ndryshme dhe se bashkëshortja e tij kishte punuar 30 vjet.

Komisioni evidentoi mosdeklarimin në vite të posedimit nëpërmjet huapërdorjes pa shpërblim të një apartamenti 2+1, me sipërfaqe 137 m2 në Tiranë. Pine tha se bashkëshorti i subjektit ka nënshkruar në vitin 2007 një kontratë huapërdorje me shoqërinë ndërtuese me ortak vëllanë e tij.

Sipas relatores, subjektit i janë kërkuar shpjegime lidhur me këtë marrëdhënie, pasi shoqëria rezulton të jetë edhe në emër të ortakëve të tjerë.

Kjo e fundit e pranoi në seancë se familja e saj e përdor këtë apartament prej vitit 2007 e në vazhdim. “Nuk e kemi deklaruar periodikisht, pasi ligji përcakton deklarimin e pasurive në pronësi. Në deklaratën veting ku kërkohet edhe posedimi, e kam pasqyruar,” pohoi Ziguri.

Ajo shpjegoi se ortakët i kishin ndarë pallatet e kompleksit të ndërtuar prej shoqërisë dhe se kunati i saj nuk kishte pasur ndonjë problem me ta, lidhur me lëshimin e apartamentit me huapërdorje.

Ziguri nënvizoi se kontrata e huapërdorjes thjesht i bënte publicitet marrëdhënies, por nuk i jepte të drejta mbi këtë pasuri.

Komisioni konstatoi se Ziguri nuk ka deklaruar të ardhura nga aktiviteti privat i bashkëshortit, ndërkohë që nga hetimi ka rezultuar se shoqëria e tij ka nënshkruar disa kontrata sipërmarrjeje. Pine tha se njëra prej kontratave e vitit 2006, kishte si objekt marrjen përsipër të ndërtimit të dy apartamenteve me vlerë totale 250 mijë euro.

Sipas KPK-së, në llogarinë bankare të bashkëshortit të subjektit është kredituar një vlerë 99 mijë euro me përshkrimin “për blerje apartamenti”.

Pine evidentoi se ky transaksion në favor të bashkëshortit të subjektit, nuk është deklaruar prej saj në vitin 2007. Sipas relatores, Ziguri ka thënë se kjo kontratë është anuluar dhe ka depozituar një deklaratë noteriale të vitit 2016 të porositësit, i cili deklaron se ka hequr dorë.

Komisioni evidentoi edhe mosdeklarimin në vitin 2003 të pjesës takuese 1/3 të prokurores Ziguri në një apartament 48 m2 në Përmet. Ziguri tha se kishte pasur bindjen se e kishte deklaruar këtë pasuri dhe se nuk kishte asnjë arsye për të mos pasqyruar pjesën takuese në apartamentin e familjes së origjinës së saj.

Pine sqaroi se Ziguri kishte shënuar në deklaratën veting edhe një pikë shitjeje karburanti në fshatin Kosinë të Përmetit, e paregjistruar, që e kishte zotëruar bashkëshorti i saj. Për këtë pasuri, subjekti ka deklaruar se është dëmtuar gjatë trazirave të vitit 1997 dhe se ka vlerën 3.5 milionë lekë.

Gjithashtu, ajo ka shpjeguar për Komisionin se bashkëshorti ka marrë atëherë 17 milionë lekë hua për krijimin e kësaj pasurie dhe ngritjen e aktivitetit, por se ka arritur të punojë vetëm gjatë viteve 1993-1994.

Gjatë seancës dëgjimore, prokurorja Ziguri shpjegoi se të gjithë huadhënësit që figuronin në kontratën e huasë, kishin marrë për dy vite interesat e tyre, kur bilanci kishte qenë pozitiv. Sipas saj, në vitin 1995 bashkëshorti i kishte thirrur dhe u kishte bërë me dije se nuk mundej më të vazhdonte aktivitetin dhe se nuk kishin pasur probleme me asnjë prej tyre.

“Kur janë marrë këto hua, nuk kishim lidhur martesë me bashkëshortin. Ngjarjet e ’97-ës e kanë lënë gërmadhë atë objekt,” pohoi ajo.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.