E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Raportet me Enverin, Ramizin dhe Mehmetin/ Rrëfimi i gjatë i shkrimtarit nga  fëmijëria deri tek pandemia
Publik News

Raportet me Enverin, Ramizin dhe Mehmetin/ Rrëfimi i gjatë i shkrimtarit nga fëmijëria deri tek pandemia

Pikërisht “Kohë për rrëfim” titullohet libri më i ri që na tregon më shumë se çdo libër tjetër për autorin. Një bisedë me studiuesen, drejtoren e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, hedhur në qarkullim nga botuesi besnik i Kadaresë, “Onufri”. “Kohë për rrëfim” është një cikël bisedash realizuar me shkrimtarin e madh, të cilat vijnë si një formë komunikimi mes tij dhe lexuesit në 85-vjetorin e tij të lindjes.

Libri nis me kohët e pandemisë, ndjesinë e një përvjetori të rëndësishëm si 85- vjetori, për t’u kthyer pas në kohë në fëmijërinë e hershme, aty ku dhe ndodhi grishja e parë nga shkrimi. Kadare tregon se ëndrra për t’u bërë shkrimtar i madh u ravijëzua herët tek ai, që kur në bibliotekën e xhaxhai zbuloi Shekspirin. Lidhja me Shekspirin dhe atë çfarë ky autor i ka dhënë Europës është pasqyruar në bisedë, si një lidhje e fortë në damarin e letërsisë botërore.

Shqipëria e viteve ’56-’57 vjen në vëzhgimin e një studenti të Institutit të Letërsisë, i cili bie në dashuri me një shoqe kursi.

Për herë të parë, shkrimtari tregon çfarë ishte kjo dashuri në jetën e tij, e cila përfundoi me ikjen e tij drejt Moskës. Bashkimi Sovjetik, revoltat e studentëve të Institutit Gorki kundër Pastërnakut, që fitoi çmimin Nobel në letërsi, do të konfiguronin në mendjen e tij për herë të parë pushtetin e diktaturave.

Rusia është një nga periudhat më të bukura në jetën e tij, ku shpenguar rrëfen dhe lidhjet intime me vajzat ruse, duke treguar për herë të parë historinë e Llorës.

Me kthimin e papritur në Shqipëri, zhgënjimin e metodës së socrealizmit, atij i duhej të gjente një mënyrë për t’i shpëtuar terrorit. Dhe është letërsia ajo që do ta shpëtojë.

Në libër, shkrimtari flet për raportin e tij me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun dhe Ramiz Alinë, duke shfaqur para lexuesit tablonë e një terrori të vazhdueshëm mbi të cilën i është dashur të krijojë.

Ky libër është vetëm pjesa e parë e një cikli bisedash që Alda Bardhyli ka realizuar me shkrimtarin, një nga klasikët më të mëdhenj të këtij shekulli.

Përveç rrëfimeve nëpër intervista apo edhe përmes veprës së tij, jetën e Ismail Kadaresë e kemi njohur më nga afër parmes veprës voluminoze me kujtime të bashkëshortes së tij, Helenës. Në librin e saj vjen Ismail Kadare përmes shqetësimit të një gruaje, meraket dhe xhelozitë, ndërsa kësaj here është vetë shkrimtari që flet në vetë të parë për veten dhe jetën e tij.

Në këtë 85-vjetor të lindjes së tij, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në bashkëpunim me Rektoratin e Universitetit të Tiranës, ka organizuar konferencën “Kadare në letrat botërore”, me pjesëmarrjen e studiuesve më në zë të letërsisë shqipe.

Helena Kadare: Prisnim dënimin, Enveri e shpëtoi

“Nuk ka asgjë madhështore në figurën e Enver Hoxhës”, kështu ka deklaruar Ismail Kadare pak ditë më parë, gjatë një takimi me një grup të rinjsh, në lidhje me portretizimin që ai i ka bërë figurës së diktatorit në dy romanet e tij madhorë: “Dimri i madh” dhe “Koncert në fund të dimrit”. “Unë shpesh akuzohem se kam Enver Hoxhën personazh në dy romanet e mi. Te ky i fundit është personazh i mjerueshëm, por nuk guxonte ta thoshte këtë sepse merrte zemërimin e tij. Etja për lavdi i bën tiranët që të besojnë se janë të lavdishëm edhe atje ku nuk janë.

Thonë që shkrimtari e sheh me adhurim. Dhe unë i bëj pyetje vetes dhe lexuesit, ku është madhështia në figurën e Enver Hoxhës? Madhështia duket ose në sytë e narratorit, ose në ecjen e tij krenare, ose në ca vuajtje, që autori ngul këmbë që ta besojmë se i ka për popullin e tij. Në këtë roman nuk ka asgjë të tillë.

Edhe te “Dimri i madh”, kur jepet një moment teksa Enver Hoxha ecën në kopsht dhe Besnik Struga e sheh nga dritarja, s’ka asgjë që të dëshmojë madhështi, si thellësi, filozofi, por një ecje e hallakatur. Madhështia duket në vështrim, por as kjo nuk ekziston. Në një skenë të librit, Krushovi e shihte në sy duke menduar nëse do ta detyronte të vetëvritej si disa të tjerë. Për lexuesin dogmatik, kjo ishte fyerje për udhëheqësin sypatrembur”, u shpreh shkrimtari, teksa shton se një lexues dogmatik mund të gjente shumë probleme në veprat e tij.

Ndërsa bashkëshortja e tij, Helena Kadare, tregoi për disa momente të vështira në jetën e tyre, kur priteshin dënime të mundshme ndaj shkrimtarit dhe familjes së tij. “Koha e ‘Pallatit të ëndrrave’ ka qenë një torturë e vërtetë, sepse u bë një plenum i tërë dhe të gjithë prisnim të ngrirë se çfarë do të ndodhte. Kur ndalohej një libër, kthehej në karton.

Unë kam qenë vetë në shtëpinë botuese dhe ndërkaq libri ishte vjedhur nga punonjësit dhe ai u lexua nga shumë njerëz. Kjo çështje u mbyll me ndalimin e librit, por të gjithë njerëzit tanë ishin të shqetësuar. Ismaili është quajtur tradhtar kur ka shkruar ‘Pashallarët e kuq’, kur ndodhi një hata e vërtetë, u zhvillua një plenum dhe të gjithë prisnim se çfarë ndëshkimi do merrte.

‘Dimri i madh’ kishte një problem tjetër. Aty ishte figura e Enver Hoxhës, që krijonte stepje. Filluan sulmet, u shkrua në gazetë. Më kujtohet një titull te ‘Zëri i Rinisë’: “Korba të zinj në letërsinë shqipe” dhe filloi me shumë bujë, por Enver Hoxha shkoi në një mbledhje në Elbasan dhe tha se edhe shkrimtarët bëjnë gabime dhe mund t’i falim.

Pra, ai personazh e shpëtoi librin dhe i ishte futur aty jo pa qëllim. Sepse nuk ndodhte kurrë që ai të thoshte që ‘bën gabim’ dhe të shpëtoje, por ikje ti dhe gjithë familjarët e tu dhe miqtë nëpër internimet. ‘Pashallarët e kuq’ u pasua nga një moment shumë i vështirë. Ismailin e çuan për punë fizike në fshatrat e Fierit, në Seman. Kjo ka qenë shumë e vështirë për atë”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.