Humbi të birin në tragjedinë e Gërdecit
Në një intervistë Zamira Durdaj thotë se është skeptike ndaj drejtësisë, ndërsa tha se duhet të hetohet e gjithë dosja e Gërdecit.
“Shpresat i kam pasur tek drejtësia e re, por përsëri me gjithë këtë lajm dhe jam optimiste dhe nuk jam. Jam në mëdyshje. Inshalla nuk do zhgënjehem deri në fund. SPAK-ut i kam kërkuar rihapje të procesit, sepse ky ministër ka qenë me imunitet. Unë kërkoj që e gjithë dosja e Gërdecit…Sepse është pranuar gjykimi i shkurtuar pas 5 vjetësh hetime dhe kjo është e padrejtë. Duhet të jemi edhe ne familjarët pjesë e procesit gjyqësore. Të gjithë ne (familjarët) jemi bashkë te kërkimi i drejtësisë”, shprehet ajo.

Zamira Durdaj deklaron se kërkimi i drejtësisë për të birin është motivi i jetës së saj, ndërsa rrëfeu se pengu i saj ishin fjalët e fundit të Edisonit kur i kërkoi falje në spital.
“E kam çuar edhe në Strasburg që në 2009 edhe nga andej nuk kam marrë përgjigje. Ka disa vegla që ndërhyjnë. Nuk e di jam skeptike. Kërkimi i drejtësisë për tim bir është motivi i jetës time, arsyeja përse jetoj. Në momentin që e kam gjetur në spital është që kur e gjeta në spital dhe kishte dhënë vetë emrin dhe kur i drejtohem Edi biri im, me 60% të trupit të djegur, më tha më fal o ma që ika pa leje, ky është pengu i jetës sime, se çfarë faji kishte bërë ai. Unë do jem në të gjitha seancat e pranishme nëse SPAK-u do ta hapë. Të hapet dosja e Gërdecit në tërësi dhe të hetohet edhe për korrupsion, sepse ka shumë prova brenda”, shtoi Durdaj.
Njoftimi i SPAK
Kujtojmë që çështja penale ndaj Fatmir Mediut, i cili u rikonfirmua si deputet në Kuvend, u pushua në një vendim të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë në 14 shtator të vitit 2009. SPAK bën me dije se ekiztojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes.
”Prokuroria e Posaçme vlerëson se ndjekja penale për çështjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë, pengesa e autorizimit për proçedim ka qënë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston.
Për shkaqet e mësipërme, në datën 05.05.2021 Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatën e Lartë kërkesë për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, e pushuar me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe vijimin e proçesit gjyqësor ndaj shtetasit Fatmir Mediu, i akuzuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal dhe nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak”, thuhet mes të tjerave në njoftimin e SPAK.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



