Vendimi u mor nga Daniela Shirka, gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.
Kujtojmë që SPAK kishte kërkuar dy vite burg dhe 5 vite përjashtim nga funksioni publik për Adriatik Llallën.
Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar dhe u zëvendësua nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.
Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.
Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në korrik 2018, gjykata respektive vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm. Në një njoftim për shtyp të atëhershëm, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se Llallës iu vendosën nën sekuestro një apartament 67 metra katrorë në Durrës dhe katër parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 22 mijë metrash katrorë në periferi të Tiranës.
Megjithatë, akuzat u rrudhën dhe SPAK njoftoi të më 9 mars përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tri herë.
Pas dënimit nga gjykata ka reaguar edhe gazetari Artan Hoxha , i cili shkruan se tashmë Presidenti Ilir Meta e ish-kryeministri Sali Berisha nuk e mbrojnë dot sepse kanë hallet e tyre, edhe pse ai gjatë kohës që ishte kryeprokuror u mbylli shumë dosje korrupsioni duke prishur edhe hetime të tjera.
Adriatik Llalla dhe Artan Hoxha
Tani, sipas gazetarit Hoxha meqë Llalla është i pari zyrtar i lartë i ndëshkuar, të tërheqë këmbën zvarrë dhe të marrë me vete shefat e tij.
“Me krah te lehta kryeprokuror i Republikes. Vendimi u dha nen monitorimin e perfaqesuesve të SHBA në sallen e gjyqit…Tani, ata qe të vune aty(Berisha+Meta) dhe të perdoren si kamikaz për penguar sa kishe mundesi, nje projekt amerikan, nuk te mbrojne dot se jane te zene me hallet e tyre. Edhe pse në fakt u mbylle aq shume dosje korrupsioni dhe i mbrojtje stoikisht, duke prishur shume hetime të vartesve të tu…Ne fakt ti nuk hetove askend, as ata qe kishin qeverisur Shqiperine, as ata qe po e qeverisin Shqiperine…Meqe je i pari i ndeshkuar në kete fllad ndryshimesh, hiqe kemben zvarre dhe merri me vete dhe shefat e tu…Kush e ka radhen???!!”- shkruan Hoxha.