Zbardhet fjala e kreut të PD-së gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të Kryesisë! Basha: Duhet të jemi të gatshëm….
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të kryesisë mësohet të jetë shprehur se Shqipëria dhe shqiptarët s’mund të presin zhvillimin e zgjedhjeve të radhës më 2025.
Burime të PUBLIK.live bëjnë me dije se kreu i demokratëve ka theksuar se Kryesia e PD dhe Këshilli Kombëtar do e lexojnë siç duhet vendimin e demokratëve për zgjedhjet brenda në parti.
Basha mësohet se ka thënë se është detyra e PD-së që të përballet një orë me parë me ‘regjimin’, ndërkohë që ka theksuar se kjo forcë politike duhet të përgatitet për çdo përballje.
“Eshtë̈e domosdoshme që të gjithë ne, nga Kryesia të Këshilli Kombëtar, të lexojmë qartë atë që ishte vullneti i demokrateve. Ata e dinë më mirë se ne se çfarë ka ndodhur në 25 prill, ata e dinë më mirë se ne se sa e vështirë është përballja me regjimin, ndaj çdo hap që do të bëjmë deri në përfundimin e analizës dhe mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, duhet të kemi parasysh që demokratet na kërkuan vazhdimin e betejës.
Dhe për të arritur ketë, detyra jonë është të përgatitemi me të gjitha format dhe mjetet për këtë përballje.
Një përballje që kërkon që Partia Demokratike të jetë e gatshme për ta kryer detyrën e saj ndaj regjimit një orë e më parë, sepse Shqipëria, shqiptaret dhe demokratët nuk mund të presin deri në 2025”, ka mësohet të ketë thënë Basha.
Basha ka thënë para kryesisë së çdo ditë që nuk përdoret për të përsosur Partinë Demokratike është ditë pushteti që i dhurohet armikut të demokracisë.
Po ashtu, lideri i opozitës është shprehur se pavarësisht humbjes në 25 prill, shqiptarët i kanë dhënë një fuqi edhe më të madhe, ndaj kërkon që shoqërisë t’i shtrihet dora e bashkëpunimit.
“Muajt në vijim do të jenë të vrullshëm, sepse e tillë është beteja që na pret. Ne jemi të vetëdijshëm që ato që janë në dorën tonë për t’u përmirësuar duhen të përmirësohen një orë e më parë, sepse çdo ditë e humbur, çdo ditë që nuk përdoret për përsosjen e PD, është një ditë pushtetit që i dhurojmë armikut të demokracisë.
Shqiptarët na dhanë një fuqi edhe më të madhe në 25 prill, demokratët mbështetën vizionin që ju parashtrova gjatë kësaj gare, ndaj detyra jonë është t’i përgjigjemi kësaj mbështetje të shqiptarëve dhe demokratëve duke treguar që jemi dhe do të mbetemi një parti e shoqërisë, një parti e hapur.
Ndaj detyra ime është që në përgjigje të kësaj mbështetje shoqërore që morëm, pa asnjë pushtet, të jemi edhe më të hapur edhe më pranë shoqërisë, t’i shtrijmë dorën e bashkëpunimit shoqërisë dhe t’ju them ejani ta ndryshojmë bashkë këtë realitet, ejani ta rrëzojmë bashkë këtë regjim armik të demokracisë, ejani në PD dhe ta ndërtojmë bashkë një të ardhme më të mirë për vendin”, është shprehur ndër të tjera Basha.
Basha mësohet të jetë shprehur se reformat janë në funksion të suksesit të betejës për fitore, duke theksuar se do ta forcojnë dhe thellojmë aleancën me shoqërinë.
“Ne do ta forcojmë dhe thellojmë aleancën me njerëzit dhe grupet e interesit duke i përfshirë ata më shumë në vendimmarrje. Kjo është detyra jonë. Përballë kemi një kundërshtar që e ka përcaktuar qartë aleancën e tij, atë me krimin dhe oligarikinë. Ne kemi një mision më të madh, të marrim me vete shumicën dërrmuese të shqiptarëve që duan ndryshimin, duan demokracinë dhe shohin te ne shpresën e vetme për realizimin e tyre.
Ne e kemi bërë këtë përpara 25 prillit, kontratat me grupet e interesit, etj. Ne do ta vazhdojmë edhe më tej duke u bërë zëri i çdo shqiptari. Do të kemi platforma politike për përfshirjen e tyre në vendimmarrje dhe po ashtu do të mundësojmë nëpërmjet iniciativave ligjore ndryshime që të mundësojnë përfaqësim më të mirë, më të denjë dhe më demokratike.
Ne kemi lindur si partia e njerëzve të lirë, përgjegjësia dhe misioni ynë mbetet shërbimi ndaj njerëzve për të sjellë liri dhe demokraci për të gjithë, në këto ditë të vështira për vendin, kjo arrihet vetëm duke i përfshirë edhe më shumë njerëzit, duke i dhënë zë më të fortë rolit të tyre në parti dhe në shoqëri. Ky duhet të jetë synimi ynë dhe bashkë, demokratë dhe qytetarë të thjeshtë, do ta bëjmë realitet”ka dhënë Basha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



