Aksidenti tragjik, drejtori i Shërbimit Pyjor u hodh nga kamioni, mjeti e zuri poshtë
Marsel Nazifi, 36 vjeç, është hedhur nga mjeti në momentin që po rrëzohej, por e ka zënë poshtë duke i shkaktuar vdekjen.
Ai ishte nisur për inspektim të disa parcelave me pyje në fshatin Vrepckë, por për shkak të terrenit të vështirë dhe të pamundur për t’u përshkuar me mjete të vogla, transportin ishte detyruar të bënte me një kamion që shërbente për të transportuar dru nga kjo zonë.
Së bashku me 36- vjeçarin, pasagjerë në mjet ishin edhe 3 persona të tjerë, por këta të fundit kishin zbritur pak metra larg nga vendi i ngjarjes.
Me qëllim për të shkuar në afërsi të parcelave për ku ishte nisur, Nazifi kishte vazhduar udhëtimin me kamion, por ky i fundit është përmbysur dhe ndërsa 36-vjeçari është hedhur nga mjeti për të shpëtuar, kamioni ka rënë mbi të duke i marrë jetën.
Zhurma e madhe e shkaktuar nga përmbysja e kamionit ka bërë që banorët e zonës të shkojnë pranë vendit të aksidentit, duke i dhënë ndihmën e parë shoferit, i cili ka pësuar dëmtime të lehta.

Më pas, ata kanë kuptuar se një person tjetër ishte poshtë kamionit pa shenja jete.
Ndërsa kanë njoftuar Policinë dhe shërbimin e urgjencës, të cilat janë nisur drejt vendngjarjes, ata janë përpjekur për disa orë që të mund të ngrinin kamionin dhe të nxirrnin trupin e pajetë, por kjo ka qenë e pamundur dhe është dashur ndërhyrja me mjete të mëdha për të lëvizur kamionin. Policia lokale tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:40 të ditës së djeshme.
“Më datë 09.07.2021, rreth orës 12:40, në fshatin Lozhan, Maliq, në një rrugë malore është përmbysur, mjeti tip kamion i markës ‘Benz’ me drejtues shtetasin S. G. dhe për pasojë ka gjetur vdekjen shtetasi M. N., 36 vjeç, pasagjer në këtë mjet. Grupi hetimor po punon për të sqaruar rrethanat e ngjarjes”, thuhet në reagim. dh.ç.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



