Kushtetuesja hap listat e kandidatëve, rrëzon herësin e 10 mijë votave
Gjykata Kushtetuese rrëzoi herësin prej 10 mijë votash për të marrë mandatin e deputetit për ata kandidatë që janë poshtë listës fituese, duke hapur në këtë mënyrë listat.
Gjykata zbardhi dje vendimin e plotë të saj lidhur me interpretimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, i cili përcaktonte mënyrën se si shpërndaheshin mandatet e deputetëve brenda një partie në garë. Gjykata vendosi shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, si të papajtueshëm me Kushtetutën. Në argumentet e saj, Gjykata vlerëson se pika 3 e nenit 163 të Kodit Zgjedhor, në disa zona zgjedhore me numër të vogël zgjedhësish ose me numër të ulët të mandateve, e shndërron votën parapëlqyese në të drejtë iluzore, pasi cenon thelbin e së drejtës për të zgjedhur.
Duke analizuar zgjedhjet e 25 prillit, Gjykata çmon që pavarësisht se në çështjet e sistemit zgjedhor ligjvënësi, si rregull, është i lirë të veprojë brenda hapësirës së tij normuese, duke përcaktuar qartë dhe rast pas rasti qëllimet që kërkon të arrijë, në rastin konkret zbatimi i herësit në praktikë, në masën e përcaktuar nga pika 3 e nenit 163 të Kodit Zgjedhor tregoi se ishte një mekanizëm disproporcional në raport me qëllimin e tij.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të detyrojë Parlamentin e ri që të bëjë ndryshimet e duhura në Kodin Zgjedhor, ndërsa me këtë vendim u heq të drejtën kryetarëve të partive që të përcaktojnë renditjen e kandidatëve në një listë preferenciale.
Ishte Partia Bindja Demokratike e Astrit Patozit dhe Partia Lëvizja Demokratike Shqiptare e Myslym Murrizit që kërkuan shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor.
ARGUMENTET E GJYKATËS KUSHTETUESE 44.
Edhe Komisioni i Venecias për efektin e listave të hapura është shprehur: “Është e vështirë të parashikohet efekti i futjes së listave pjesërisht të hapura në rezultatin përfun- dimtar. Votimi me preferencë do të jetë efektiv vetëm nëse arrin një prag të caktuar: për të ndryshuar renditjen e listës, një kandidat duhet të marrë më shumë vota preferenciale se numri mesatar i votave të marra për secilën nga vendet e fituara nga partia ose koalicioni; në çdo rast, herësi nuk mund të jetë më i madh se 10,000 vota (neni 163, pika 3 e Kodit Zgjedhor). Efekti i kësaj risie do të varet nga sjellja e votuesve, më saktësisht nga përdorimi i gjerë ose jo nga ana e tyre i mundësisë për të votuar për një kandidat specifik. Edhe nëse një numër mjaft i vogël mandatesh mund të shpërndahet ndryshe bazuar në këtë ndryshim për zgjedhjet e ardhshme, mund të ketë ende një farë ndikimi në taktikat e fushatës” (Shih Opinionin e Komisionit të Venecias për ndryshimet kushtetuese dhe për Kodin Zgjedhor, paragrafi 22).
45. Lidhur me mekanizmat që do të zbatohen në mënyrën e shpërndarjes së mandateve, edhe aktet ndërkombëtare, si Protokolli nr. 1 i KEDNJ-së (neni 3), si dhe Pakti për të Drejtat Civile dhe Politike të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (neni 25), që synojnë garantimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, u kanë lënë shteteve anëtare një hapësirë të gjerë vlerësimi për mekanizmat që kanë në dispozicion për ta bërë ushtrimin e së drejtës së votës efektive.
46. Gjykata vëren se bazuar në pikën 3 të nenit 163 në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara nga subjekti, sipas nenit 162 të këtij Kodi. Në çdo rast, herësi nuk mund të jetë më shumë se 10,000 vota. Bazuar në vendimet paraprake të KQZ-së për shpërndarjen e mandateve, konstatohet se veçanërisht në qarqet me numër të vogël mandatesh, kandidatët e subjekteve zgjedhore kanë marrë deri në 3 herë vota më pak se vlera e përcaktuar e herësit, për atë zonë zgjedhore dhe atë subjekt zgjedhor, pra është një vlerë dukshëm më e ulët se vlera e herësit. Në këtë aspekt, Gjykata vlerëson se pika 3 e nenit 163 të Kodit Zgjedhor në disa zona zgjedhore me numër të vogël zgjedhësish ose me numër të ulët të mandateve e shndërron votën parapëlqyese në të drejtë iluzore, pasi cenon thelbin e së drejtës për të zgjedhur.
47. Gjykata çmon që pavarësisht se në çështjet e sistemit zgjedhor ligjvënësi, si rregull, është i lirë të veprojë brenda hapësirës së tij normuese, duke përcaktuar qartë dhe rast pas rasti qëllimet që kërkon të arrijë, në rastin konkret zbatimi i herësit në praktikë, në masën e përcaktuar nga pika 3 e nenit 163 të Kodit Zgjedhor tregoi se ishte një mekanizëm disproporcional në raport me qëllimin e tij.
48. Në vlerësimin e Gjykatës, në përcaktimin e herësit nuk duhet të vendosen kufizime në një masë më të madhe se sa është e nevojshme për të arritur objektivat, në respektim të së drejtës për të zgjedhur dhe parimit të barazisë së votës. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se parashikimi i herësit, lidhur me vlerën e tij numerike, i përcaktuar në pikën 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, si një ndër kriteret që ndikon në shpërndarjen e mandateve, cenon të drejtën për të zgjedhur, pasi nuk përmbush kriterin e proporcionalitetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



