Kemi avion të personalizuar për Ramën dhe Kemi vetëm një helikopter për emergjenca
Niko Peleshin nuk e mbajtën më nervat. Pasi deklaroi në mëngjes se shteti shqiptar ka vetëm një helikopter për të fikur zjarret, në mesditë ministri i Mbrojtjes u revoltua me gazetarët që e pyetën se përse ishte zhdukur nga sytë e medieve.
Në fakt, vetëm kur mediat nisën të shkruajnë se ‘Peleshi është zhdukur’, ai u shfaq në Vlorë duke thënë se nuk ka ndonjë rrezik nga zjarret, madje ngushëlloi turqit dhe grekët. Sot situata jo vetëm në Vlorë është më dramatike se kurrë.
Me nervat e lëshuara, Peleshi e pranoi se kaq janë mundësitë e shtetit. “Kapacitetet i kemi të limituara,” tha ai me arrogancë. Por jo më pak arrogant u shfaq në media edhe kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako.
Ky i fundit, sipas KLSH-së, ishte zhdukur me pushime, teksa vendi digjej. I pyetur nga mediat, Çako shpërtheu duke thënë se nuk i merr leje askujt, përveç Zotit. “Isha në një eveniment familjar. Nuk është e vërtetë që kam humbur. Nuk i marr leje askujt përveç Zotit dhe procedurave ligjore,” tha ai. Se nga buron kjo arrogancë e pushtetit, mund ta kuptosh fare lehtë.
Është kreu i qeverisë që e rrezaton atë në çdo cep dhe kudo në administratën e tij. Kryeministri kaloi sot përmes Himarës që po digjet dhe u prit me thirrje: Poshtë Edi Rama. Ndryshe nga homologu i tij kosovar, Albin Kurti, që shkoi pranë forcave zjarrfikëse në Suharekë për të parë situatën, Edi Rama është mjaftuar me një postim qesharak në FB.
Kurti u interesua për pajisjet e zjarrfikësve dhe për punën e tyre. Sesa eficente janë këto forca në Kosovë, u pa kur mbërritën për të ndihmuar vëllezërit shqiptarë gjatë tërmetit të vitit 2019. Teksa Shqipëria nuk kishte as edhe një qen për ekipët e shpëtimit, forcat kosovare ishin të organizuara dhe të stërvitura deri në detaj.
Nuk dihet nëse ishte kjo arsyeja pse Edi Rama mohoi ndihmën kosovare gjatë tërmetit në takimin e Mini-Shengenit në Shkup, por fakt është se në këto ditë të vështira emergjencash, Shqipëria është katandisur vetëm me një helikopter për shuarjen e zjarreve. Ndërsa vendi anëtar i NATO-s ka vetëm një helikopter, Shqipëria si më e korruptuara në Europë ka një avion në dispozicion të kryeministrit. Vetëm një ngritje në ajër e avionit për tekat kryeministrore kushton miliona lekë, por kjo nuk duket se është problemi i Ramës.
As shqetësimet e shqiptarëve nuk janë çështje e tij, madje as kur bëhet fjalë për zonën e tij zgjedhore. Tek e fundit, kur nuk i merr zgjedhjet në mënyrë të lirë dhe të ndershme, nuk të intereson kjo gjë. Një hetim i Antimafias italiane ka zbuluar se që kur garoi për herë të parë në vitin 2000, Edi Rama fitoi falë manipulimeve dhe mbështetjes së krimit. Pak gjë ka ndryshuar dy dekada më pas.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



