E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kuvendi i 11 dhjetorit, PD e “foltorja” përplasen për logon
Publik News

Kuvendi i 11 dhjetorit, PD e “foltorja” përplasen për logon

Kur na ndajnë edhe pak ditë nga zhvillimi i kuvendeve të thirrur nga Berisha përmes delegatëve të PD-së dhe Basha përmes kryesisë së PD-së, tensionet mes dy palëve janë rritur.

Foltorja e Sali Berishës ka shpërndarë kartat e delegatëve që do të marrin pjesë në Kuvendin e 11 dhjetorit, për të cilin Basha dhe institucionet e selisë blu janë kundër, pasi nuk pranojnë që delegatët e PD-së të gjykojnë një vendim të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Ndërkohë, dy ditë më parë sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, përmes email-it të sekretariatit organizativ ka lajmëruar delegatët se “Foltorja” ka përdorur logon dhe flamurin e PD-së pa autorizim, dhe sipas Bardhit, kjo është e jashtëligjshme.

“Këto dokumente dhe përdorimi i të dhënave të anëtarëve nuk është autorizuar nga asnjë organ përfaqësues i Partisë Demokratike të Shqipërisë, dhe për pasojë, ato janë dokumente të paligjshme dhe të falsifikuara, të prodhuara nga persona të paidentifikuar dhe që nuk përfaqësojnë asnjë organ të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Ky veprim synon të dëmtojë interesin politik të Partisë Demokratike, duke e shfaqur atë në sytë e opinionit publik si një celulë ilegale, ku cilido për interesin e tij personal mund të përdorë simbolet e PD-së apo të dhënat e anëtarëve të PD-së”, thuhet në email-in e Gazment Bardhit të shpërndarë në fundjavë.

REAGIMI I “FOLTORES”

Ndaj email-it të numrit dy të Partisë Demokratike reagoi “Foltorja”. Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, Berisha shprehet se Basha dhe numri dy i PD-së nuk mund të pengojnë shumicën e demokratëve, delegatëve që kanë thirrur Kuvendin e 11 dhjetorit. Më tej Berisha e quan Bardhin ish-ministër të Kryeministrit Rama dhe të dy me Bashën i quan shoqatë, sepse sipas tij, demokratët i kanë braktisur.

“Të vënë përballë faktit të kryer se shumica e delegatëve të Kuvendit dhe anëtarëve të PD-së i kanë përcaktuar tashmë de facto si pakicë uzurpuese të Partisë Demokratike, ashtu siç pritej, peng-kryetari në largim dhe ai që ka poshtë do të zvarriteshin pas logove e pas vulave duke u bërë më qesharakë seç janë.

Simbolet, vula, selia dhe vetë Partia Demokratike u përkasin demokratëve, të cilët kanë deleguar vullnetin e tyre te delegatët e Kuvendit Kombëtar, që është dhe organi me i lartë i Partisë Demokratike.

Mbi 5000 mijë delegatë që përbejnë dhe mbi 65% të këtij Kuvendi kanë firmosur ta thërrasin atë në 11 dhjetor, në përputhje të plotë me Statutin e PD-së!

Askush dhe aq më pak ish-ministri i Edi Ramës nuk mund t’i pengojë ata të realizojnë misionin e tyre nën flamurin, siglën dhe simbolet e Partisë Demokratike, për të cilën kanë sakrifikuar aq shumë ndërkohë që vota e tyre tradhtohej nga peng-kryetari ose shitej për karrige ministrash nga gaztori i tij! Shoqata Basha-Bardhi le të tundë edhe për pak ditë letrat, se partia dhe demokratët i kanë braktisur me kohë.

Përballë mijëra firmave që mbështesin Kuvendin e Rithemelimit të 11 dhjetorit ankesat dhe të qarat për letra e shkresa dëshmojnë fundin pa lavdi të një grupi njerëzish të cilëve as dorëheqja nuk ua shpëton dot më nderin që në fakt nuk e patën kurrë!”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.