Policia rrethon selinë e PD-së pas votimit për shkarkimin e Bashës, frikë për trazira
Forca të shumta policie kanë rrethuar në një perimetër të gjerë selinë e Partisë Demokratike në Tiranë. Siç vërehet nga pamjet e siguruara prej gazetarit të ABC, Juxhin Mustafaraj, vetëm në hyrjen e godinës së Parlamentit që është ngjitur me godinën e PD, ndodhën shtatë furgona policie, ndërsa prani e madhe efektivësh vërehet në të gjithë zonën përreth këtij objekti.
Prania e forcave të rendit rreth godinës së PD-së është shtuar gjatë minutave të fundit teksa pritet të përfundojë edhe Kuvendi i thirrur nga Berisha, në të cilin po votohet shkarkimi i Lulzim Bashës.
Më heret delegatët votuan shkarkimin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi si edhe të tre nënkryetarëve Jorida Tabaku, Grida Duma dhe Enkelejd Alibeaj.
Duket se policia i trembet një mbledhjeje të delegatëve të ftuar nga Berishë në godinën e PD pas rezultatit për shkarkimin e Bashës, dëshirë të cilën e kanë shprehur mjaft prej tyre.
Gjatë fjalës së tij sot, Berisha bëri një përshkrim të rrugëtimit të PD-së që nga viti 1991 deri më sote duke iu rikthyer periudhave të vështira siç ishte viti 1997 apo edhe më pas. Ish-kryeministri kërkoi nga amerikanët që të tërhiqnin vendimin për ta shpallur “non grata”, ndryshe ai do të detyrohej të vijonte luftën për t’u rikthyer në pushtet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



