E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Avokatët kundërshtojnë njëzëri hartën e re gjyqësore: Nuk e zgjidh dot kolapsin në gjykata
Lajme

Avokatët kundërshtojnë njëzëri hartën e re gjyqësore: Nuk e zgjidh dot kolapsin në gjykata

Pas Dhomës së Avokatisë në Lezhë, edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka kundërshtuar hartën e re gjyqësore, e propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Ministria e Drejtësisë.

Kreu i avokatëve të Shqipërisë, Maks Haxhia, ka qenë i ashpër në qëndrimet e tij, duke deklaruar se harta e propozuar duhet të ndryshohet. Ai deklaroi se me hartën e propozuar cenohet aksesi i qytetarëve te sistemi i drejtësisë dhe këtë nuk e lejon Gjykata e Strasburgut. “Nuk pajtohem me mënyrën që të bëjmë një reformë të dytë që të zgjidhim problemet e kolapsit të reformës së parë, sepse problemet shtohen kaq shumë sa, nisur nga shumë argumente, e shoh të pasuksesshme edhe këtë reformë në lidhje me hartën gjyqësore. Pse? E para, ne e kemi një eksperiencë tashmë. Ajo që më vret nuk është marrë nga reforma në konsideratë praktika, e cila ka dështuar. Ne kishim një Gjykatë Apeli që ishte një dështim i plotë. Kemi një eksperiencë tjetër të hidhur që Gjykata Administrative e Apelit do të zgjidhë… nuk është e vërtetë. Ajo ka ende çështje të vitit 2015. Shqipëria nuk është vetëm Tirana, të cilën e kanë masakruar. Pse merrni eksperiencën e Moldavisë, merrni eksperiencën gjermane që edhe territoreve t’u japin jetë. Si mund të ikë nga Vlora Gjykata e Apelit kur ky qytet po merr dimensionet e një qyteti europian. Nuk e di mendimin e Ministrisë, pasi e para ishte kundër, kurse Manja tha se ne do të kemi një material tonin”, tha Haxhia.

“KLGJ NUK MENDOI PËR QYTETARIN”

Gjatë një tryeze në qytetin e Vlorës, kryetari i Dhomës së Avokatisë në Fier, Ermal Ahmataj, tha se Këshilli i Lartë Gjyqësor kishte menduar vetëm për gjyqtarët dhe jo për qytetarët dhe avokatët. Ndërsa shprehu dakordësinë për shkrirjen e disa gjykatave tejet të vogla apo prokurorive me vetëm një prokuror, ai kërkoi që duhet të rishikohet skema sa u përket gjykatave administrative. Ahmataj theksoi se vetëm një Gjykatë Apeli në rang Republike nuk ofron dot shërbim për qytetarët.

“Mua më duket që grupi i punës, përveç faktit që ka bërë punë të mirë për mbylljen e disa gjykatave me dy-tre gjyqtarë, që nuk mund të ekzistojnë, apo prokurori me një prokuror, por kam përshtypjen që grupi i punës duhej ndalur më shumë te gjykatat administrative, se sa dhe ku do të funksiononin; po ashtu duhet rishikuar edhe pjesa e një Apeli të përgjithshëm në Tiranë, sepse në qoftë se nëpër media qytetarit mund t’i mbushet mendja që qenka aksesi i menjëhershëm në drejtësi që gjyqi i sarandjotit që ta zhvillojë gjyqin e Apelit në Tiranë, mua si jurist nuk më mbushet mendja. Kjo po e largon drejtësinë nga njerëzit, nuk po e afron.

Kjo çon drejt falimentimit 500 apo 600 avokatë që punojnë nëpër rrethe dhe paralelisht 600 familje që ushqehen nga puna e këtyre avokatëve dhe askush nuk interesohet. KLGJ ka interesin primar punën e vet. Me të drejtë thuhet se keni menduar për karrierën e gjyqtarëve dhe, nga ana tjetër, ju keni menduar për gjithçka, por për mendimin tim nuk keni menduar për qytetarin”, theksoi ai.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.