Ministrja Manastirliu reagon pas letrës së ish-këshilltarit holandez: Në 8 vite nuk mund të ndodhte magjia në shëndetësi
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu reagoi sot nga foltorja e Kuvendit në lidhje me letrën e hapur të ish-këshilltarit holandez në Ministrinë e Drejtësisë Ton Daans për sistemin shëndetësor në Shqipëri.

Manastirliu deklaroi se ka pasur një reagim nga spitali ndërsa citoi deklaratat e mjekëve përkatës për kritikat që shkruheshin në letër.
Ajo theksoi se nëse në 30 vite nuk ishte investuar në shëndetësi, në 8 vite nuk mund të ndodhte magjia, ndërsa u ndal te sfida e këtij sistemi përballë pandemisë.
“Kam dëgjuar një miks akuza shpifjesh. Nuk e di pse sa herë ju flisni dhe i mëshoni të pavërtetave kënaqeni me historinë e viktimave. Sa herë përmendni viktima ju qesh fytyra. Edhe ju e dini shumë mirë që i keni shifra të sajuara.
Ka reaguar spitali. Kur flitet me transparencë flitet me transparencë me fakte. Dua t’i referohem reagimit të mjekëve për kritikat që u është bërë në këtë letër të hapur. Nëse ju i lexoni këto reagime do gjeni elementët më të mirë shkencorë teknikë. Nëse 30 vite nuk ishte investuar në shëndetësi për 8 vite nuk ndodhte magjia. Fakti që nuk u gjunjëzuam nga pandemia do të thotë se disa puna i kemi bërë mirë.
Jam e bindur që qytetarët dinë të vlerësojnë dhe të bëjnë krahasime. Si sot ofrohet shërbimi shëndetësor. Ata që e kanë në dorë për ta ndryshuar janë ata që kanë marrë besimin me votë për ta ndryshuar”, deklaroi Manastirliu.
Ton Daans, ish-këshilltar në fushën e riedukimit në ministrinë e Drejtësisë gjatë kohës kur ky institucion drejtohej nga Etilda Gjonaj, tregon në letër se ishte rrëzuar në një trotuar pak ditë më parë në Tiranë. Sipas holandezit, trajtimi mjekësor në Spitalin e Traumës ishte një ferr për të, për shkak të kushteve të këqija dhe infrastrukturës së dobët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



