Evi Kokalari largohet nga politika/ “Puna ime në Shqipëri mbaron këtu”
Aktivisja Evi Kokalari është larguar nga politika dhe Shqipëria, për t’ju rikthyer jetës së saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kokalari, e cila me anë të një statusi në rrjetet sociale njofton se me krijimin e kryesisë së re të Partisë Demokratike, puna e saj përfundon këtu. “Urime kryesisë së re të PD. Besoj se shumë janë dakort me mua kur them se puna ime në Shqipëri mbaron këtu dhe si e tillë, do ti kthehem jetës time të përditshme në Amerikë, bisnesit, politikës dhe miqve. Gjithsesi një gjë nuk ndryshon; fakti që vetëm një PD vërtet konservatore do ta nxjerr Shqipërinë nga moçali i korrupsionit. Një PD e qëndrës apo e qëndrës së djathtë, do të jetë thjeshtë një vazhdimësi e asaj që kemi njohur dekatën e fundit, dhe do ngelet një parti e pazareve.
Në kundërshtim, një PD e parimeve konservatore do të fokusohet tek populli dhe Shqipëria, dhe jo tek xhepat e saja. Duke shpresuar për më të mirën, Suksese të mëtejshme dhe Zoti ju bekoftë të gjithëve”, shkruan aktivistja. Kujtojmë se aktivistja e njohur erdhi në Shqipëri në mbështetje të Partisë Demokratike dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Gjatë kësaj kohe, Kokalari është shfaqur në krah të ish-kryeministrit, në takimet që ky i fundit ka bërë me demokratët anembanë vendit në kuadër të bashkimit dhe hapjes së Partisë Demokratike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



