Monologu i fortë i Gjergj Lucës: 70% e politikanëve të majtë e të djathtë janë të korruptuar!
Sipërmarrësi Gjergj Luca thotë se pjesa më e madhe e politikanëve në Ballkan janë të korruptuar. Janë një pjesë e vogël e tyre, thekson ai, që duan të bëhen lider dhe ata përfshijnë politikanët që thonë të vërtetën përmes punës së tyre.
“60% për mos me ekzagjeru 70%, janë të korruptuar nga të gjitha anët. Të majtë, të djathtë, lart, poshtë. Janë njerëzit që gjejnë gjuhën me djallin për të shtu pasuritë e veta, ata që janë në pushtet, për të shtu pasuritë e veta ata që duan të vijnë në pushtet”, u shpreh sipërmarrësi.
I ftuar në emisionin “PolitikON”, Gjergj Luca bëri një monolog të shkurtër politikën në vendet tona, në Ballkanin Perëndimor. Ai u ndal dhe te nisma e Ballkanit të Hapur, për të cilën tha se ajo është një nismë që do shpëtojë ekonomitë e vendeve.
“Njerëzit që nuk marrin pjesë në këtë nismë (Ballkani i Hapur) që është një nismë për të shpëtu të gjithë ekonominë e Ballkanit, për mua janë njerëz demagogë që duan të sundojnë politikisht mbi plagët e njerëzve, nga hallet dhe sikletet e ndryshme të Ballkanit që kanë pas”, vijoi ai.
Monologu i plotë i sipërmarrësit Gjergj Luca:
Unë mendoj që në pjesën e Ballkanit politikanët janë ndarë në tre grupe kryesore dhe janë të gjithë njësoj. 60% për mos me ekzagjeru 70%, janë të korruptuar nga të gjitha anët. Të majtë, të djathtë, lart, poshtë. Janë njerëzit që gjejnë gjuhën me djallin për të shtu pasuritë e veta, ata që janë në pushtet, për të shtu pasuritë e veta ata që duan të vijnë në pushtet.
Pjesa tjetër nuk i intereson fare as ekonomia dhe as vendi, po i intereson të peshkojë nëpër ujëra të turbullta. Një pjesë tjetër, nja 20% nëpër partitë politike të Ballkanit, janë njerëz që s’dinë ça janë. Kanë marrë kanë vënë gurin te partia si te radha e qumështit, presin momentin me ec përpara për të kapë ndonjë pozicion, pastaj do shikohet nga do marrin.
Një 10% ose 15% janë njerëz që partitë kanë bërë një tentativë, për mua shumë të mirë, që kanë marrë njerëz nga shoqëria civile, specialist, si puna e profesorit (i drejtohet Ardian Civicit), që më vjen keq që nuk e shoh këtë burrë në qeveri për ekonominë. Ata njerëz janë apolitikë dhe janë më të saktët në gjithë administratën e Ballkanit, por përballë kanë administratën, që për mua lë shumë për të dëshiruar se është e shkatërruar nga korrupsioni.
Tani dalim te ajo përqindja e vogël e politikanëve që duan të bëhen lider. Janë të ndarë për mua në dy pozicione, një pozicion i politikanëve që thonë të vërtetën nëpërmjet punës dhe puna e tyre është ekonomia. Një grupim tjetër është i politikanëve që duan të komandojnë duke pasur si motiv bazë demagogjinë. Njerëzit që na dëgjojnë le t’i përkthejnë fjalët e mia.
Njerëzit që nuk marrin pjesë në këtë nismë (Ballkani i Hapur) që është një nismë për të shpëtu të gjithë ekonominë e Ballkanit, për mua janë njerëz demagogë që duan të sundojnë politikisht mbi plagët e njerëzve, nga hallet dhe sikletet e ndryshme të Ballkanit që kanë pas. Për mua këta njerëz nuk kanë për t’u bo asnjëherë lider, nëse nuk kuptojnë që historia e luftës është mbyll në ish-Jugosllavi.
Sot, është historia e ekonomisë. Kush fiton betejën me ekonominë është lideri i popullit të vetë.
REPLIKAT/ Gjergj Luca i drejtohet Sokos: Unë paguaj 200 milionë lekë taksa në muaj, BE s’na trajton si të barabartë
Sipërmarrësi i njohur i peshkimit Gjergj Luca dhe eksperti i ekonomisë Pano Soko kanë debatuar mbrëmjen e djeshme për nismën e Ballkanit të Hapur, që synon heqjen e barrierave doganore dhe burokratike mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Luca ka thënë se biznesi i tij paguan 200 milionë lekë taksa në muaj dhe komuniteti europian i ka vendosur peshkimit shqiptar kuota, duke mos e trajtuar si të barabartë me vendet e tjera. Për këtë ai kërkoi ndërhyrjen e politikës, që BE të reagojë.
Ndërkohë, eskperti Pano Soko tha se duhet të jetë qeveria ajo duhet të mbështes fermerin shqiptar. Ai solli në vëmendje rastin e Dibrës, ku fermerët po hedhin qershitë për shkak se në tregun shqiptar shitet ajo e Maqedonisë, por Luca tha se zgjidhja është konkurrenca.
Pano Soko: Ballkani i Hapur nuk është dashur, do jetë luftë. Luftë me armë. Do jetë bujku shqiptar kundër bujkut maqedonas, kundër bujkut serb. Do jetë blegtori shqiptar kundër blegtorit maqedonas e serb. Kur ne u japim fermerëve 10 euro, Maqedonia u jep 35 euro. Qumështi maqedonas vjen më lirë, 85 lekë. Ne e kemi 150 lekë. Kanë CEFTAN ata.
Gjergj Luca: Ne nuk na merr njeri seriozisht. Ti tani këto muhabete i ke të dëgjume. unë fjalët e mia i kam të provume te puna ime. Ti më more qershiat unë po të marrë atë punë që e njoh mirë. Analiza bëhet e vërtetë kur bëhet nga vetja jote. Zgjidhja është konkurenca, tregu i hapur.
Pano Soko: Qeveria të japi lekët. Ata japin lekët. Se prodhojnë qershia më shumë. Aty qeveria jep lekët.
Gjergj Luca: Qeveria or ti mik i merr lekët nga ne. Tha Buxhuku për Europën duhet lek, unë jam duke të thënë që Shqipëria do punë, do treg, do respekt. Ne bëjmë 130 milioën xhiro si sektor, nëse komuniteti europian ne do na heqi kuotat dhe do na trajtojë të barabartë me Afrikën e Veriut që nuk kanë kuota te peshkimi.
Komuniteti europian ka vendosur kuota te peshkimi. Peshkimi shqiptar do bëjë 300 milionë. Këtu duhet politika, ndihma e Europës. Ato lekë qe ikin te ato qershiat që thua ti, janë lekët e mia, janë gjaku im. Jo lekët e tua që bën emision. Unë prodhoj taksa, nga 200 milionë në muaj. Dhe kur më flet ti mua për taksa mua më vjen për të qesh.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



