E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Eksperti i ekonomisë kundër amnistisë fiskale: Rrezikohet kthimi i vendit në ‘lavatriçe’ të parave të pista
Lajme

Eksperti i ekonomisë kundër amnistisë fiskale: Rrezikohet kthimi i vendit në ‘lavatriçe’ të parave të pista

Një ndër pikat e draftit të Amnistisë Fiskale që është parë me shqetësim nga ekspertët dhe Komisioni Evropian, është legalizimi i pasurive jashtë territorit të vendit.

Pikëpyetjet qëndrojnë në mënyrën sesi do të bëhet riatdhesimi i kapitaleve, ndërsa ka jo pak hije dyshimi edhe mbi faktin që pjesë e kësaj amnistie mund të jenë edhe shtetasit e huaj, mjafton të kenë aktivitet biznesi në vendin tonë. Kjo, sipas ekspertit të ekonomisë, Igli Tola, rrezikon ta kthejnë vendin në “lavatriçe” të pastrimit të parave të pista. “Riatdhesimi i kapitaleve është praktikisht i pamundur, pasi nuk ka mundësi legale për të sjellë fonde që janë jashtë sistemit bankar nga vendet e origjinës në Shqipëri. E vetmja mundësi është ilegalisht në ‘cash’ ose kriptomonedha.

Ligji ndërkombëtar specifikon se vetëm 10.000 € mund të kalojë secili ‘cash’ në kufi; ndërsa drafti flet për deri në 2 milionë €. Rreziku tjetër është te kthimi i vendit në një ‘lavatriçe’ të parave të pista, jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të të huajve. Atyre u mjafton një NIPT në Shqipëri, qoftë me aktivitet minimal biznesi dhe u lind e drejta të pajisen me rezidencë fiskale, e nga ky moment me lehtësi deklarojnë deri në 2 milionë €”, pohon Tola. Në një intervistë dhënë për gazetën, ai ndalet edhe në përmbajtjen e projektligjit, në pikat që i konsideron problematike si dhe në pasojat afatgjata që mund të sjellë amnistia. “Përvoja ndërkombëtare tregon se përfitimet e perceptuara të amnistisë, në rastin më të mirë janë të mbivlerësuara dhe shpesh nuk ka gjasa të tejkalojnë kostot e programit dhe efektet anësore të implikuara në ekonomi. E kur flitet për efekte anësore më kryesorja është inkurajimi i evazionit/ mosdeklarimit, pasi që amnistia e radhës do t’i ‘legalizojë’ të ardhurat e krijuara”.

Qeveria duket e vendosur për t’i shkuar deri në fund amnistisë, pavarësisht kritikave se fundmi edhe nga Komisioni Evropian. Ju besoj jeni njohur me draftin. Çfarë konsideroni problematike në përmbajtjen e tij?

Drafti i propozuar për diskutim nga ana e ekzekutivit ka shume pika ku çedon si në aspektin logjik, por edhe atë ekonomik: Së pari, shqiptarët ose edhe të huaj rezidentë fiskal këtu që kanë fituar para në mënyrë të paligjshme do të mund t’i legalizojnë ato duke paguar një tatim favorizues duke filluar nga vetëm 5- 10 për qind – në një vend ku tatimi mbi të ardhurat personale është 15 për qind, ndërsa barra e përgjithshme fiskale e qytetarit arrin deri në 40 për qind. Neni 6 i projektligjit rendit një numër subjektesh që nuk përfitojnë dot nga amnistia fiskale.

Këto subjekte janë zyrtarët aktualë por jo ishzyrtarët si dhe personat që sipas përkufizimit ligjor, “janë në përbërje të gjendjes familjare të tyre, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji”. Njëkohësisht flitet edhe për përjashtim të subjekteve të Ligjit Antimafia, por pa përcaktuar ekzaktësisht si do të bëhet përjashtimi i këtyre individëve; ndaj këtu lind dyshimi se përjashtimet janë të përcipta dhe lehtësisht të kalueshme. Mungon konsensusi politik në vend për aplikimin e një amnistie të plotë; aq më tepër kur institucionet ndërkombëtare si FMN, BB, BE e kundërshtojnë hapur. Duke mos siguruar as mundësi për shkëmbim informacioni me organet atje, Interpolin etj.; për personat me aktivitet jashtë vendi.

Sipas jush, pse qeveria vendosi të rikthejë nismën në këtë moment? A jemi në gati për një amnisti fiskale dhe penale?

Arsyet pse qeveria paraqiti këtë nismë tani janë të paqarta. Nuk dihet kush e kërkoi, studimi mbi të cilin bazohet vlera 2 milionë, normat tatimore etj. Gjithsesi, nëse do të bënim aludime dhe bazuar në eksperiencën botërore do të thoshim se në afatshkurtër kërkohet të arkëtohen disa para shtesë në buxhet, i cili është tejet i tendosur nga efektet e krizës. Nga ana tjetër nuk mund të lëmë në hije faktin se zgjedhjet lokale janë vetëm pak muaj larg dhe efekti elektoral i amnistive nuk mund të mos përfillet.

Në gjykimin tuaj çfarë pasojash sjell nisma nëse miratohet, kjo jo vetëm në aspektin afatshkurtër, por edhe atë afatgjatë?

Programet e amnistive kanë një histori të gjatë, pasi që politikëbërësit shpesh i kanë parë si një mjet efikas për përfitime afatshkurtra dhe afatmesme. Në afatshkurtër prodhojnë të ardhura buxhetore shtesë, aq shumë të dëshirueshme sidomos në kohë recesioni ose krize financiare, kur të ardhurat janë nën presion dhe shpenzimet priren të rriten vrullshëm. Situatë që përputhet me gjendjen ekonomike të Shqipërisë dhe Eurozonës në përgjithësi. Ndërsa në afatmesëm, një amnisti e suksesshme pritet të rrisë bazën tatimore, pasi evazorët disiplinohen dhe flukse të reja, tashmë të legalizuara shtohen në rrjetën ekonomike. Megjithatë, përvoja ndërkombëtare tregon se përfitimet e perceptuara të amnistisë, në rastin më të mirë janë të mbivlerësuara dhe shpesh nuk ka gjasa të tejkalojnë kostot e programit dhe efektet anësore të implikuara në ekonomi. E kur flitet për efekte anësore më kryesorja është inkurajimi i evazionit/ mosdeklarimit, pasi që amnistia e radhës do t’i ‘legalizojë’ të ardhurat e krijuara.

Projektligji amniston edhe pasuritë e shtetasve të huaj, veç kësaj me shqetësim është parë edhe riatdhesimi i kapitaleve…

Riatdhesimi i kapitaleve është praktikisht i pamundur, pasi nuk ka mundësi legale për të sjellë fonde që janë jashtë sistemit bankar nga vendet e origjinës në Shqipëri. E vetmja mundësi është ilegalisht në ‘cash’ ose kriptomonedha. Ligji ndërkombëtar specifikon se vetëm 10.000 euro mund të kaloj secili ‘cash’ në kufi; ndërsa drafti flet për deri në 2 milionë €. Rreziku tjetër është te kthimi i vendit në një ‘lavatriçe’ të parave të pista, jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të të huajve. Atyre u mjafton një NIPT në Shqipëri, qoftë me aktivitet minimal biznesi dhe u lind e drejta të pajisen me rezidencë fiskale e nga ky moment me lehtësi deklarojnë deri në 2 milionë euro.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.