E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
1987-2022, sërish në apel pas 35 vjetësh
Publik News

1987-2022, sërish në apel pas 35 vjetësh

-Kukës, mblidhen maturantët e klasës 4A të gjimnazit të vjetër

Nga ARBEN VATA*

35 vjet pas përfundimit të maturës shtetërore, ish nxënësit e klasës 4A të maturës së gjimnazit të Kukësit u mblodhën sërish në shkollën e tyre të vjetër për të përkujtuar përfundimin e studimeve të shkollës së mesme. Dikur të reja e të rinj 18-19 vjeçarë, ata janë sot 53-54 vjeçarë, prindër e madje edhe gjyshër me nipër e mbesa. Pavarësisht këtij statusi, ata iu bindën sërish rregullit të shkollës; në mënyrë simblolike u improvizua rënia e ziles së fillimit të mësimit, shkuarja në klasë në rresht dy e nga dy, ulja në banka dhe kryerja e apelit. Fatkëqesisht, dy persona nga kolektivi ynë kanë ndërruar jetë e bashkë me to, edhe disa ish mësues dhe në kujtim e respekt të tyre të gjithë mbajtëm një minutë heshtje.
22 shoqe e shokë të pranishëm në këtë takim festiv, treguan me pak fjalë për jetën, familjen, shkollën dhe karrierën e tyre që pas përfundimit të maturës deri më sot. Nga statistikat, rezulton se rreth 70 % e maturës 4A të vitit 1987, kanë vazhduar shkollën e lartë. Grupi ynë ka nxjerrë shumë mjekë (8 të tillë) dhe kontribues të tjerë në arsim, shëndetësi, sektorin e rendit publik, ushtri, media, politikë, sektorin privat, etj. Një numër i konsiderueshëm prej maturës sonë kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në proceset e ndryshimeve demokratike në vend, ndërkohë që disa prej nesh e kanë ndërtuar jetën dhe karrierën e tyre profesionale jashtë vendit. Me fjalë të tjera, kolektivi ynë paraqet më së miri zhvillimet social-politike që pësoi vendi, sidomos në vitet 90 dhe në vazhdim edhe sot.
Megjithatë, në fytyrat e gjithësecilit lexohej pa asnjë vështirësi gëzimi i pamatë i takimit pas kaq vitesh; kuptohej lehtë se ne kishim mbetur po ata motra e vëllezër siç e konsideronim veten atëherë; ata shokë e shoqe që ishim gjithnjë bashkë në të mirë apo në të keq.
Kjo atmosferë kujtimesh, histori të gjithëfarshme me protagonistë njëri tjetrin apo mësuesit dhe prindërit tanë që nga viti i parë i shkollës, ditët e zborit, muajin e aksionit në Lukovë apo ato të shpeshtat në Krumë e Nangë, etj, etj, ishin pjesë e bisedave tona pafund që zhvilluam në ndalesën e parë pas daljes nga shkolla ( kafe e përbashkët) dhe në fund, në 4-5 orët e fundit të drekës së përbashkët, ku veç të tjerash kujtuam edhe emocionet dhe momentet e veçanta të mbrëmjes së maturës.
Atëherë ishim të gjithë njësoj të varfër, pa mundësi për kostume apo fustane mijëra euro, pa limuzina e lokale luksoze, por ishim vërtetë të pasur në zemër e shpirt, të gatshëm për të mbrojtur dhe ndihmuar me çdo gjë njëri tjetrin dhe gjithashtu të etur për studime.
Edhe në këtë event përkujtimor, të gjithë theksuan se fryma miqësore, respekti e ndihma për njëri tjetrin do të vazhdojë sërish.
Sigurisht deri në takimin tjetër që u la i hapur për…

Reunioni vazhdon….

Në foto :
Nga e majta në të djathtë lart: ARBEN VATA, NAZMI BILERI, BESNIK XHOXHA, BASHKIM ELEZI, ARDIAN VATA, XHEZAIR ELEZI, GIMJAN DOKLE
Rreshti në mes nga e majta në të djathtë:
GAZMEND DODA, SHPRESA CENGU, LULIE HAFUZI, KIMETE CENGU, NATASHA CENGU
Poshtë nga e majta në të djathtë:
SULEJMAN ELEZI, SAMI RASHA, GEZIM PARLLAKU, ARIANA REXHMATI, MIMOZA MATAJ, VALBONA ELEZI, MERITA HAXHIA, MIMOZA ZHUBI, SOFIE ELEZI

ARDIAN KOVAÇI u bashkua më vonë gjatë drekës, prandaj nuk është në foto. Kurse shoqe e shokë të tjerë nuk janë në foto, pasi ose ishin jashtë shtetit, ose u ndodhën me pushime. I urojmë çdo të mirë kudo të jenë!

* Arben Vata nxënës i maturës 1987 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.