E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Veliaj mund t’ia marrë partinë Ramës aq sa mundi ia morën Mehmeti, Kadriu etj Enverit.
Lajme

Veliaj mund t’ia marrë partinë Ramës aq sa mundi ia morën Mehmeti, Kadriu etj Enverit.

Rivaliteti mes Ramës e Veliajt nuk ekziston

Gjithmonë e njëjta skemë; Veliaj po kërkon t’i zerë vendin Ramës ose Rama do t’ia lerë partinë Veliajt.

Kush ka qenë i vëmendshëm për karrierën e këtyre dy personazheve politik, e kupton se nuk ka gjasa të ndodhë as njëri, as tjetri variant edhe për shumë kohë.

Partia Socialiste e para viti 2005 ka vdekur. Vdiq në vitin 2009, kur Rama i cili kishte vënë vetë në statut dorëheqjen e kryetarit në rast humbje, e shkeli këtë nen.

Qysh nga 2009 e këtej Edi Rama nuk ka pas më asnjë rival në atë parti, dhe kjo u vulos me burgosjen e Saimir Tahirit.

Nëse do duhet një analogji për këtë çift politik, ngjan shumë me çiftin Enver Hoxha – Ramiz Alia.

Erion Veliaj stërvit trurin gati gjithë ditën e ditës që një gjë e tillë mos t’i shfaqet as në ëndërr, jo më ta mendojë ditën për diell t’i marrë partinë Edi Ramës, aq më keq ta shprehë këtë, qoftë edhe me njeriun e tij më besnik.

Veliaj e njeh shumë mirë Ramën, saqë, në rast mendimesh e dëshirash të kundërta me të, zvarritet me javë të tëra për ta bindur se s’ka as dëshira, as mendime.

Ai e lejon Ramën ta urdhërojë, ta komandojë, njëlloj si të gjithë servilët e tjerë të përulur të epokës Rama në PS.

Vetëm një ndryshim ka Veliaj me të tjerët; kur merr urdhër për të dhënë një leje ndërtimi, për të lejuar një ndërtim pa leje ose për të mos dhënë një leje, të cilat vetë nuk i miraton, ai, ose i njofton fshehtas palët e treta (media, ndërtues…), ose, kur ata duhet të “dënohen” me patjetër, e përmend gjithandej që kjo gjë po ndodhte jo me deshirën e tij, por me urdhërin e prerë të Ramës. Këtë ai nuk e bën prej ambicies për t’i marrë partinë Ramës, e bën thjeshtë se e ka natyrë, si akrepi.

Sa më absolut që sillet Rama, i cili po bëhet gjithnjë e më i ngjashëm me Enver Hoxhën, aq më i sjellshëm dhe bujar tregohet Veliaj.

Kështu, pa folur asnjë fjalë kundër Ramës, vetëm me ndonjë aluzion të lehtë, me një buzëqeshje, ose me heshtjen e tij, duket sikur herë pas here ai arrin të krijojë i vetëm fare, një opozitë të dukshme brenda PS, e njëkohësisht krejt të pakapshme kundër sundimtarit.

Kjo në fakt nuk ekziston fare. Por duke qenë se njerëzit janë mësuar të shohin një PS me fraksione e me zëra të fortë autoritarë veç kryetarit, është bërë një nevojë aq jetike kjo sa sjelljet e natyrshme të Erionit u krijojnë iluzione njerëzve.

Veliaj nuk ia thotë kurrë ca të vërteta Ramës në sy: ai e di që sundimtarëve, edhe nëse ata dikur quheshin i pari midis të barabartëve, nuk u pëlqen një gjë e tillë.

Nëse do ta marrim të mirëqenë, Rama dhe Veliaj vijnë të dy nga e njëjta filozofi politike, ajo liberale majtiste e sponsorizuar nga Soros, por që sjellja politike që adopton Rama ngjan më shumë me Erdoganin, Orbanin, filozofi politike krejt tjera.

Të dy janë njëlloj, gjakftohtë e të pa skrupullt për çështje parash apo pushteti.

Këta dy njerëz vazhdimisht janë ‘ndeshur’ në të njëjtën skenë të politikës shqiptare. Këta dy aktorë në rolet e tyre të karakterit të lëkundshem të veshur herë si shoqëri civile, herë si socialistë të thekur, herë si ultra liberalë, herë si shërbëtorë besnikë të Sorosit: Dhe pikërisht, sepse i përkasin së njëjtës racë shpirtërore dhe luajnë të njëjtin rol politik, ata e urrejnë
njëri-tjetrin me ftohtësinë e profesionistëve dhe me mllefin e
fshehtë të rivalëve. Por njëri nuk ka asnjë shans ta shprehë këtë, dhe ai është Veliaj. Ashtu siç Ramizi nuk e shprehu kurrë.

Ata i përkasin të njëjtit tip për nga morali; por nëse ngjashmëria u vjen nga karakteri, ndryshimi u vjen nga prejardhja e tyre.

Rama vjen nga nomenklatura e lartë e PK, dhe e quan veten trashëgimtar prej gjaku të PS, Veliaj, djali varfanjak që shiste fiq për të mbijetuar, kur ishte ende një adoleshent i ‘mjerë’ dhe i përbuzur, për disa kacidhe në muaj, ka bredhur ambasadë më ambasadë e ojf më ojf.

Kur Veliaj rrekej të fitonte me servilizma ndonjë gjë në kohën e Nanos, Rama kishte zbritur në fushë si sfidanti për partinë.

Rama dhe Veliaj kanë ardhur në PS nga lart, si zotërinj, me karrocën e tyre, duke zbritur disa shkallë deri te shtresa e socialistëve të thjeshtë, të parin e zbriti Ruçi me shokë, të dytin e zbriti i pari.

Nga kjo ngjashmëri prejardhjeje, tipari i tyre kryesor i përbashkët merr një nuancë të veçantë. Rama, duke qenë se pretendon që ka gjak ‘mavi’, me sjellje të holla dhe teka të mëdha, e kryen detyrën me mospërfilljen e ftohtë të një zotërie të madh, ndërsa Veliaj me zellin lajkatar të një nëpunësi dinak dhe ambicioz.

Ajo që i bën aq të ngjashëm i bën njëkohësisht edhe të dallohen nga njëri-tjetri dhe, nëse të dy i kanë shumë qejf paratë, Rama i do ato me tabiatet e një hokatari, t’i bëjë rush e kumbulla, Veliaj, si muzhik, kënaqet t’i bëjë paratë kapital, të marrë fitime për një interes politik afatgjatë.

Nuk ka asnjë dyshim që Veliaj ka dëshirë të zjarrtë të jetë pasardhës i Ramës. Po s’ka asnjë dyshim gjithashtu që, nëse ka një njeri mbi këtë tokë që e di se s’mund t’ia marrë akoma partinë atij, ky është Veliaj.

Të marrësh partinë duhet të kesh disa komponentë:
1-Kapacitet intelektual dhe të jesh në gjendje ta sfidosh sundimtarin në diskursin publik.
-Rama është akoma mbi Veliajn këtu.
2-Të kesh mbështetje në bazën e partisë.
-Të gjithë e dinë që një pjesë e madhe e bazës ka akoma alergji nga Lali.
3-Duhen para.
-Veliaj ka para, por jo aq sa për të sfiduar Ramën.

Prandaj, Veliaj është shumë i kujdesshëm, sa herë e kupton që ambicia i ka dalë jashtë kontrollit, ai bën shmangie të guximshme, të kuptuarit e rrufeshëm e ndihmon të marrë kthesat e shkathëta në çaste rreziku, ky është talenti i tij, nëse mund ta themi që ka të tillë.

Nga kjo dashuri ndaj minimumit, ndaj formës më të përqëndruar të lojës së trurit, rrjedh edhe aftësia e tij e veçantë për të sajuar, aty për aty, gjithfarë fjalësh, shakarash dhe aforizmash që lidhen direkt me kultin e sundimtarit.

Veliaj punon si një milingonë e kujdesshme e gjithë zell, grumbullon në mijëra skuta, vrojtime të panumërta, pastaj i sistemon ato,
i kombinon dhe del me mendime të sigurta kur flet në publik.

Rama dhe Veliaj kanë një neveri reciproke për njëri-tjetrin, e cila rrjedh nga njohja e thellë, instiktive e njëri-tjetrit.

Ky çift i habitshëm i shërben gjithkut, përveç socialistëve të thjeshtë. Por sundimtari është absolut, dhe ai është Rama.

Ramën e vëretë deri tani duket nuk e ka njohur tamam askush, as socialistëve nuk u kishte shkuar mendja se ajo parti do bëhej ‘pronë’ e tij.

Për ta mbyllur, këtë diskurs publik, për shpërfaqjen e një rivaliteti mes Ramës e Veliajt, ose e nxisin ata vetë, ose vjen thjesht si nevojë e si thirrje e dëshpëruar për thundrën nën të cilën ka rënë Partia Socialiste e Shqipërisë.

Por Veliaj mund t’ia marrë partinë Ramës aq sa mundi ia morën Mehmeti, Kadriu etj Enverit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.