E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Për një manifest universitar në vend të “protestës së pedagogëve”
Publik News

Për një manifest universitar në vend të “protestës së pedagogëve”

BELINA BUDINI*

Që pedagogët dhe profe sorët t’u kundërvihen padrejtësive dhe të kërkojnë rritje standarde si për shoqërinë edhe për vete si pjesë e saj, këtu nuk ka asgjë të papritshme. Përkundrazi, nëse nuk ngrihen, por konformohen ose nënshtrohen, kjo do të ishte e papërligjur. Prej kujt tjetër më shumë sesa prej tyre mund të priten të bëhen manifeste, të nxiten reforma apo të frymëzohen deri edhe revolucione? Ndaj, dalja e pedagogëve të universiteteve publike në protestë, si një akt i shumëpritur, duhej të ishte edhe gjerësisht e mirëpritur. Mirëpo, e pagëzuar thjesht si “protesta e pedagogëve” në media dhe në opinionin publik, kjo ngritje e universitarëve deri tani nuk është parë ndryshe nga kategori të tjera profesionale, si për shembull ajo e minatorëve, peshkatarëve apo naftëtarëve.

E fokusuar vetëm te kërkesa për rritje pagash, që është më se e drejtë në parim, protesta e pedagogëve të universiteteve publike për fat të keq nuk është ngritur deri tani as në lartësinë e protestës së fundit të studentëve të universiteteve publike, të paktën për nga impakti në opinionin publik. Me sa duket, organizatorët e kanë konceptuar si protestë të zakonshme, si gjithë protestat e tjera, pavarësisht se kategoria ku bëjnë pjesë nuk është aq e zakonshme. Zvogëlues apo minimizues tingëllon edhe vetë emërtimi: “protestë e pedagogëve”, ndërsa nga pedagogët dhe profesorët si edhe stafet universitare e akademike në përgjithësi pritet më shumë sesa thjesht një protestë, pse jo një manifest?

Kjo nuk do të thotë se pedagogët në Shqipëri nuk kanë, as më shumë dhe as më pak nevojë se të gjitha kategoritë e tjera profesionale, që të protestojnë dhe të kërkojnë përmirësim të pagave të tyre dhe vlerësim të drejtë të punës që bëjnë. Mirëpo, herë e konsideruar si protestë minimaliste për nga lloji i kërkesave, e herë maksimaliste për nga pretendimet, ajo rrezikon të krijojë perceptime të gabuara në lidhje me gjithë kategorinë e pedagogëve apo profesorëve, që nuk janë as njëlloj dhe madje as të ngjashëm në shumë raste. Po të ndjekësh rrjetet sociale, duket se protesta e pedagogëve i ka hedhur më tepër benzinë zjarrit sesa po shërben për të ndërgjegjësuar në lidhje me nevojat ekzistenciale të stafeve pedagogjike.

Përshkallëzimi i protestës me bojkotim të fillimit të vitit akademik mund ta shtojë edhe më tej kundërshtimin publik, edhe pse mund të jetë instrument i suksesshëm për arritjen e qëllimit. Mirëpo, suksesi i vërtetë i kësaj proteste do të ishte kanalizimi përmes saj jo thjesht i nevojave të stafit pedagogjik të universiteteve publike, por i të gjitha kërkesave jetike për reformimin e vonuar të universiteteve shqiptare. Ndaj, më shumë sesa për një protestë të pedagogëve, po ndihet dhe po artikulohet gjerësisht nevoja për një reformim të vërtetë universitar, nxitur kjo nga protesta e thjeshtë dhe modeste e pedagogëve. Nëse shërben për këtë, atëherë do të mund të ngrihej në nivelin e një manifesti.

*Dekane e UET

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.