Gert Bogdani shfaqet në krah të Berishës: Ka ardhur koha për ndryshim!
Bogdani, synon kandidimin për bashkinë e Tiranës, kemi nisur trajnimet e strukturave të PD
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike Gert Bogdani ka folur ditën e sotme në lidhje me zgjedhjet e ardhme lokale ku ka shprehur gatishmërinë për të kandiduar për të drejtuar bashkinë e Tiranës.
Bogdani deklaroi sot në një konferencë ku ishte i pranishëm edhe ish-kryeministri Sali Berisha se kanë nisur trajnimet me strukturat e Partisë Demokratike pasi siç theksoi ai në garë nuk është i rëndësishëm vetëm kandidati por e gjithë skuadra.
Bogdani deklaroi se sot në Shqipëri ka ardhur sërish koha për ndryshim. “Besoj se është shumë e rëndësishme jo vetëm të kemi kandidat, por një skuadër të fortë dhe të suksesshme. Kemi vazhduar trajnimet me strukturat e PD të Tiranës.
Sfida e ardhshme po vjen shumë shpejt. Sfida e ardhshme nuk janë vetëm sfidë për të PD dhe opozitën por për Shqipërinë dhe të ardhmen e Shqiptarëve. Sot në Shqipëri ka ardhur përsëri koha për ndryshim dhe koha për ndryshim është tani”, u shpreh ai.
PD në opozitë për dobësinë e saj, jo për meritë të qeverisë
Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur ditën e sotme për situatën politike në vendin tonë duke u ndalur te qeverisja e socialistëve për të tretin mandate radhazi.
Berisha deklaroi se PD është për herë të tretë në opozitë dhe jo jo për meritë të qeverisë por për dobësinë e opozitës. Ai shtoi se për herë të parë në 30 vite dora e qeverisë është shtrirë mbi opozitën duke i krijuar idenë shqiptarëve sikur Rama është i pandalshëm.
“Jemi në mandatin e tretë në opozitë dhe jo për meritë të qeverisë por për dobësinë e opozitës. Kemi pasur një qeveri të bazuar në skandale. Ky udhëtim i opozitës në këto vite ka qenë udhëtim topitës. Në një mënyrë apo një tjetër për fatin më të keq si asnjëherë në këto 30 vite.
Dora e qeverisë u shtri mbi opozitën dhe te shqiptarët u krijua përshtypja se Edi Rama është i pamundshëm, nuk mund të mundet dhe opozita i bën fresk atij. Në këtë kontekst PD ndodhej para alternativës për ekzistencë, to be or not to be. Unë mendova se ajo duhet të ekzistonte.
Por ajo që të ekzistonte duhet të ndryshonte në mënyrë rrënjësore. Të paraqitet para shqiptarëve një parti tërësisht e ndryshuar. Ndryshe ata nuk kanë asnjë arsye që të na besojnë ne. Në një vit ia kemi dalë dhe kemi shënuar rritje për t’u paraqitur para shqiptarëve”,deklaroi Berisha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



