E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ndryshimet në paketën fiskale për vitin 2023
Lajme

Ndryshimet në paketën fiskale për vitin 2023

Nga fshehja e pagës deri te moslëshimi i faturave, rriten penalitetet për bizneset!

Paketa fiskale për vitin 2023 parashikon rritje të gjobave, deri edhe në 10- fishim ndaj të gjitha bizneseve që nuk deklarojnë punonjësit, fshehin pagat reale apo nuk lëshojnë faturë.

Në rast të shkeljes së përsëritur, bizneset do të përballen me ndjekje penale. “Situata reale dhe faktike e mosdeklarimit të punonjësve si dhe fshehjes së pagës reale te biznesi i madh, pasojat e të cilit reflektohen në mosmbledhjen e të ardhurave tatimore, kanë sjellë nevojën që penalitetet administrative të parashikuara në ligjin e procedurave tatimore të ndryshohen në rritje për biznesin e madh.

Edhe pse në kushtet e fatkeqësive natyrore si tërmeti dhe pandemia, administrata tatimore ka qenë më e kufizuar nga kontrollet/verifikimet fizike në terren, përsëri vihet re një numër i lartë i shkeljeve që lidhen me mosdeklarimin e punonjësve dhe fshehjen e pagës. Për pasojë, propozimi mbi penalitetet për mosdeklarim të punonjësve dhe fshehje të pagës, vjen si rezultat i domosdoshmërisë për ashpërsimin e penaliteteve për këtë kategori shkeljesh dhe tatimpaguesish.

Ashpërsimi i penaliteteve, synohet të ndikojë në reduktimin e këtyre shkeljeve, mbrojtjen e individëve të punësuar si dhe pasqyrimin real në skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, thuhet në relacionin për Procedurat tatimore. Kështu, nëse nga verifikimi dhe kontrolli rezulton se tatimpaguesi ka fshehur dhe nuk ka deklaruar pagën e saktë të përfituar nga punëmarrësi, punëdhënësi, përveç detyrimit për pagimin e shumës së duhur të detyrimit tatimor dhe kontributet për këtë punonjës, të llogaritur për gjithë periudhën e provuar se është kryer shkelja, dënohet me gjobë në masën 200 për qind të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për tatimpaguesit entitete juridike dhe 100 për qind të detyrimit dhe kontributit për të gjithë tatimpaguesit e tjerë.

FATURAT

Ndërkohë për bizneset që nuk lëshojnë faturë masa e gjobës do të variojë nga 50 000 lekë për tatimpaguesit e tatimit të mbi të ardhurat personale nga biznesi apo vetëpunësimi deri në 1.5 milionë lekë për bizneset e mëdha. Sa u takon shkeljeve në procedurën e fiskalizimit të faturave dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi apo vetëpunësimi, por që nuk janë të regjistruar për TVSH-në, dhe tatimpagues të tjerë, dënohen me gjobë 25 000 lekë.

Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi apo vetëpunësimi dhe për TVSHnë, dënohen me gjobë prej 50 000 lekë dhe tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi fitimin korporativ, dënohen me gjobë 75 000 lekë. Ndëshkime do të ketë edhe kur pengohet kontrolli apo hetimi. “Tatimpaguesi që pengon drejtpërdrejt ose tërthorazi një kontroll tatimor ose hetim nga administrata tatimore, i nënshtrohet një gjobe prej 100 000 lekësh për tatimpaguesit e klasifikuar si persona fizikë tregtarë apo të vetëpunësuar, dhe 1 000 000 lekë për tatimpaguesit e klasifikuar si entitete, ose individë me pasuri të lartë”, thuhet në draftin e hedhur për konsultim publik.

TATIMI MBI FITIM

Në ligjin aktual, parashikohet gjoba për mospagimin në afat të kësteve të tatimit mbi fitimin aktualisht është në masën 10% të tatimit të papaguar. Duke qenë se masa e kësaj gjobe është e njëjtë, pavarësisht vonesës në pagesë të këstit, pra, e njëjta gjobë paguhet si për 1 ditë vonesë, ashtu dhe kur nuk e paguan fare, është propozuar rishikimi i këtij dënimi dhe përcaktimi në bazë të ditëve të vonuara të pagesës së këstit të tatim fitimit por jo më shumë se 365 ditë, me qëllim nxitjen e tatimpaguesve për pagesën sa më parë të detyrimit. Nga ana tjetër është reduktuar me 2 mijë lekë vlera e gjobës për mosdorëzimin në afat të deklaratës individuale vjetore të të ardhurave për individët, e cila aktualisht është në masën 5.000 lekë. Përmes paketës së re fiskale propozohet që dënimi për mosdorëzimin në afat të DIVA-s nga individët të jetë në masën 30.000 lekë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.