E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vladimir Putin shpall gjendje lufte në katër rajonet e aneksuara ukrainase
Bota

Vladimir Putin shpall gjendje lufte në katër rajonet e aneksuara ukrainase

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se ka shpallur gjendje lufte në rajonet ukrainase të Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjës, duke u dhënë fuqi shtesë krerëve të rajoneve të Rusisë.

Këto katër rajone ukrainase Moska pretendon se i ka aneksuar.

“Kam nënshkruar dekretin për shpalljen e gjendjes së luftës në këto katër subjekte të Federatës Ruse”, tha Putin gjatë takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, që u transmetua drejtpërdrejt.

Kremlini më pas publikoi dekretin ku thuhet se gjendja e luftës do të hyjë në fuqi mëngjesin e 20 tetorit.

Putin nuk tregoi se çfarë hapash konkretë do të ndërmerren pas shpalljes së gjendjes së luftës.

Dekreti i tij u jep agjencive të zbatimit të ligjit tri ditë afat për të paraqitur propozime specifike.

“Ne po punojmë që të zgjidhim çështjet e vështira që të mbrojmë sigurinë e Rusisë dhe të garantojmë të ardhme të sigurt, të mbrojmë njerëzit tanë”, tha Putin.

“Ata që janë në vijat e luftës ose janë duke u trajnuar për luftë në qendrat trajnuese, duhet ta ndjejnë mbështetjen tonë dhe duhet të dinë se kanë pas vetes shtetin dhe popullatën”, shtoi ai.

Dhoma e Lartë e Parlamentit rus pritet të mblidhet shpejt për të miratuar vendimin e Putinit për shpalljen e gjendjes së luftës. Pritet që kjo masë të përfshijë kufizimin e udhëtimeve dhe tubimeve publike, por edhe dhënien e fuqive më të mëdha për autoritetet e zbatimit të ligjit.

Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Pasi Moska mbajti referendume të rreme në katër rajonet ukrainase, më 30 shtator Putin nënshkroi dekretin për aneksimin e tyre. Kievi dhe Perëndimi e kanë cilësuar vendim të paligjshëm aneksimin e katër rajoneve ukrainase, që janë pjesërisht të pushtuara nga forcat ruse.

REL

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.