SKEMA/ Provat që grumbulloi Prokuroria për zyrtarët dhe përmbaruesin
Prokuroria e Tiranës ka zbardhur skemën që biznesmeni Ilir Thana ka përdorur së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, drejtorin e personelit, Fatmir Hoxha dhe përmbaruesin Alban Ruli, për të përfituar shuma të mëdha parash nga rimbursimet.
Prokuroria bën të ditur se Gjokutaj, Hoxha dhe Ruli kanë pranuar shpërblimin e Thanës në vlerën e rreth 82.000.000 lekëve, nga të cilat 50.000.000 lekë të kaluara në llogarinë e biznesmenit.
Ata e kanë trajtuar Thanën si pronar të objeketeve magazinë dhe truall pa qenë në këtë status, si dhe ekzekutuan për herë të dytë një vendim gjyqësor të ekzekutuar nga Ministria e Financave në vitin 2015.
“Nga aktet e këtij procedimi, rezultoi se:
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin e saj nr. 16, datë 14.07.2000 ka vendosur: “Urdhërohet zgjidhja e pasojave për konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës së shitjes datë 23.04.1992 të lidhur mes shitësave Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar dhe A.K Privatizimit dhe blerësit I.Th, duke i kthyer palët në gjendjen e mëparshme, ku objekti magazinë nr.2 i kthehet Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar dhe kjo e fundit së bashku me AKP-në t’i kthejë bleresit I.Th vlerën e objekteve të blera (magazine dhe truall) që është 103.046 lekë të konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve në kohën e ekzekutimit të vendimit”.
Ministria e Financave dhe Ekonimisë ka ekzekutuar vendimin nr.9150 datë 12.11.1996 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, duke shlyer detyrimin e plotë ndaj kreditorit I.Th sa vlera e objekteve të blera e konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve, bazuar në informacionin e dërguar nga Sektori i Publikimeve në INSTAT.
Në zbatim të vendimit të mësipërm, nga Ministria e Financave është transferuar në llogaritë në llogaritë e I.Th vlera prej 284.139 me urdhër shpenzimi nr.90 datë 27.02.2015.
Më tej, rezulton se shtetasi I. Th është drejtuar zyrës përmbarimore, e cila në kundërshtim flagrant me ligjin ka vlerësuar në vitin 2022, objektin magazinë dhe truallin për një vlerë të përgjithshme prej 145.867.920 , duke u hequr dhe trajtuar si ish pronar shtetasin I. Th në një kohë që nuk ka qenë asnjëherë me këtë status”, njofton prokuroria.
Sipas dosjes, dëmi që i është shkaktuar buxhetit të shtetit është rreth 1.200.000 euro.
“Deri në këtë fazë rezulton se Ministria e Financave ka kaluar në favor të shtetasit I. Th. shumën 48.118.366 lekë. Nga kjo shumë është e provuar se 25.000.000 lekë kanë kaluar në favor të shtetases Sh.P.
Organi procedues konstaton dhe çmon se ka dyshime se veprimet e përmbaruesit, të Ministrisë së Financave dhe persona të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga Buxheti i Shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur.
Organi procedues ka urdhëruar sekuestrimin e shumës se kaluar shtetasit I. Th. dhe llogarisë qëllimore të përmbaruesit, duke arritur të sekuestrojë deri në këtë fazë të hetimeve rreth 22.000.000 lekë”, thekson më tej prokuroria.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



