Pasi çmontoi rafinerinë e naftës, qeveria i jep “Shijakut” leje për park fotovoltaik
Këshilli i Ministrave vendosi të mërkurën ndërtimin e një parku fotovoltaik në zonën ku ka qenë rafineria e Ballshit, pas ç’montimit të saj për skrap nga kompania “Shijaku”.
Vendimi parashikon ndërtimin e një “centrali gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse nga shoqëria “GREENNAT SOLAR PARK BALLSH”.
“Greennat Solar Park Ballsh” është në pronësinë e kompanisë “Shijaku” të biznesmenit Shpëtim Shijaku, i cili e bleu rafinerinë për 9 milionë euro nga banka Credins me qëllim çmontimin dhe shkrirjen e saj për hekur skrap.
Dhënia e së drejtës për ndërtimin e centralit është bërë pa garë, ndërsa në vendim saktësohet se ndërtimi i centralit të ri “nuk është objekt koncensioni” dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse.
Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi do të jetë brenda 60 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit, ndërsa afati i operimit të centralit është dhënë për 49 vite.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



