Opozitë në rrethrrotullim pafund
ARTAN XH. DUKA, PROF. AS. DR. MSC.
Kush më shumë e kush më pak, të gjitha qeveritë e pas ‘90-s kanë “gishtin” e tyre në dramën e tranzicionit shqiptar e “litarët” e panumërt të tij. U bitis keq, jo njëherë, por dy herë, nga qeverisje “zjarri” të PD, por dhe qeverisje “zjarrfikësi” të PS zhgënjyen jo pak. Si me mefshtësie për të vënë gjërat në vend, si kur u bë pak dhe vonë, si kur thelluan padrejtësitë duke i ligjëruar ato (tapitë në kurriz të pronarit historik, diferencimet në shoqëri etj.) etj.
Por, nëse duhet veçuar një qeveri që përtej problemeve të mësipërme me të shkuarën, mund t’i thuhet sadopak “punë e mbarë” është kjo e sotmja. Jo se po bën çudira, por thjesht se po ndjek ritmin e kohës ndërkohë që standardi i qeverisjeve të mëparshme ishte ku e ku më poshtë. E thënë kjo, sërish qytetari meriton më shumë. Votuesin nuk duhet të merret i mirëqenë duke provokuar deri arrogancë, dorë të lirë dhe kuturisje përtej manifestit zgjedhor (Këshillimet Kombëtare etj.). Për demokracinë dhe shoqërinë është jetik ndërrimi në pushtet. Si për të mirën e përgjithshme, ashtu edhe për të nxitur vetë ndërrimin brenda partisë. E ardhmja demokratike nuk ka nevojë për udhëheqës “Papë” majtas e djathtas që marrin “besën” e ndjekësve e shkurajojnë me dekada të renë derisa, kur hapin krahun, lënë pas parti fantazma dhe pasardhës që pavarësisht meritave personale, me apo pa vend, shihen si “hija” e zgjatur e tyre në to.
Por, ndonëse PS është në mandatin e tretë rresht, sërish ndërrimi politik duket ende mision i pamundur. Jo vetëm për meritë të qeverisë Rama që ende nuk po dehet nga arritjet, por mban ritmin e “vrapon” garën pa rival, ashtu edhe zallamahisë brenda tendës opozitare.
Që t’ia dilet Ramës dhe të ndodhë rrotacioni, duhet krijuar pritshmëria në publik se vendi mund dhe duhet të qeveriset më mirë dhe se qeveria “hije” dhe drejtuesi i saj i kanë këllqet e integritetin për këtë gjë. Përtej platformave elektorale partiake që kanë mjaft të përbashkëta si prej problematikave të ditës e zgjidhjeve standard për to, synimit të njëjtë drejt BE apo ndikimit të të tretëve (SHBA, FMN etj.), dallimi mes partive mbetet ekipi dhe drejtuesi (integriteti, stili e krijimtaria në komunikim etj.) dhe reflektimi korrekt ndaj së shkuarës.
Një opozitë si PD që bazohet te fryma apo takëmi i shkuar është e humbur pa u futur në garë. PD hë për hë është e ndarë në dysh, pro/ kundër politikanit të shpallur non-grata, por të dyja këto grupime kanë të përbashkët të shkuarën problematike. Sa kohë edhe grupimi Alibeaj nuk reflekton ndaj saj, mbetet po njëlloj i pabesueshëm dhe i pavotueshëm nga shumica në elektorat, pavarësisht sponsorizimit përtej Atlantikut.
Distancimi nga politikani non-grata i grupit Alibeaj në PD duhet të jetë distancim edhe nga problematika e trashëgimisë së qeverisjeve të tij nga kaosi me pronën, zhbërja e pasurisë publike, zgjedhjet e ‘96, piramidat, 97, 21 janari, Gërdeci, pakti detit etj. Besimi i zgjedhësve fitohet nëse reflektohet ndaj abuzimit 30-vjeçar dhe ka rikthim tek deviza “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” me protagonistë të rinj që nuk kanë qenë nën hijen e drejtuesit, janë të papërlyer e të papërfolur me tranzicionin famëkeq.
Sa kohë kjo nuk ndodh dhe ndërkohë nuk del as dhe një parti e re për këtë mision, aq kohë vendi privohet nga rrotacioni politik që është “oksigjen” për demokracinë dhe e ardhmja mbetet gjatë monopol i vullnetit dhe dëshirës së mirë të Edi Ramës.
ÇELËSI I SUKSESIT QË BART E SHKUARA
Për të rivalizuar PS, PD (apo një parti e re), duhet të pozicionohet në qendër të spektrit zgjedhor. Vetë PS, përtej “etiketës” së majtë, nuk është më parti mirëfilltazi e tillë, por një parti gjithëpërfshirëse në elektorat (nga respekti e vëmendja ndaj luftës, shtresave në nevojë, shërbimet publike etj. te privatizimet, mbështetja te biznesi i madh, rehabilitimi i figurave nacionaliste të së shkuarës e plot reforma të djathta që kaluan me më pak reagim sepse u ndërmorën nga një qeveri e “majtë”!). Apeli opozitar duhet të jetë po i tillë, duke vlerësuar të gjitha vlerat e aspiratat pa dallim në shoqëri.
PD apo një parti e re duhet të heqë dorë nga vështrimi bardhezi i së shkuarës, revanshizmi absurd dhe këndvështrimi i tejkaluar historik rreth së djathtës. Qëndrimi realist ndaj LANÇ, protagonistëve të saj, nderimi i dëshmorëve, respektimi i 29 nëntorit zyrtar etj. janë një hap më tej në zgjimin e interesit te shumica.
LANÇ vazhdimisht përcakton fituesin në politikë. Me të u lidh shumica e popullit dhe fitimtarët e djeshëm dhe brezat më pas, mirëpresin gjithmonë politikën që nderon vlerat e saj dhe kjo shumicë shfaqet edhe pas kaq dekadave në kutitë e votimit. Nderimi i luftës dhe respekti ndaj figurave nacionaliste të denigruara padrejtësisht nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por thjesht dëshmojnë një kut të vetëm në vlerësimin e kontributit patriotik. Me qëllim rritjen e interesit në elektorat, PD duhet të rishikojë edhe qëndrimin ndaj punës dhe mundit të brezave të tërë në monizëm duke vlerësuar punën e ndershme njësoj, qoftë ky ish-disident, qytetar i thjeshtë apo dhe ish-komunist apo sigurims korrekt. Anatemimi ideologjik që përgojon e fut gjithçka në “thes” fyen shumicën e atyre që përpara se të besonin në ideologji, besonin në atdhedashuri dhe kontribuuan e punuan sa mundën për të.
PARTI E QENDRËS PËR TË GJITHË
PD duhet të jetë streha e të gjithëve, duke ofruar apelin e kohezionit social si dikur me parullën “Të gjithë bashkëfajtorë, të gjithë bashkëvuajtës”. Ndjeshmëria qytetare për vlerat e së shkuarës nuk ka pse të “peshkohet” vetëm nga PS dhe identiteti i PD nuk pështjellohet nga ky rishikim i historisë (aq sa nuk u pështjellua edhe identiteti i PS kur në krye erdhi Rama, dikur zë në PD dhe që ka optikën e tij në qëndrimin ndaj së shkuarës).
Realizmi ndaj së shkuarës dhe apeli i kohezionit i heq “eskluzivitetin” PS rreth saj dhe fillon e zgjon realisht interes e besim tek PD nga shumica në këtë vend që përtej mirëqenies, vlerëson po aq edhe respektin ndaj asaj që ajo nderon.
Manifestet zgjedhore ndoshta mund të mos ndryshojnë shumë (shteti i madh apo i vogël, taksa të larta apo të ulëta etj., i dikton shpesh koha). Dhe sa kohë e kaluara rivlerësohet si duhet, i vetmi dallim mbetet përkushtimi, transparenca, zbatimi ligjit në qeverisje dhe talenti e krijimtaria në prezantim e zbatim. Qoftë PD apo një parti e re e këtillë, me një ekip me integritet, me një qëndrim realist ndaj së shkuarës dhe projekte e ritme ambicioze për të ardhmen do të ishte një parti e të gjithëve dhe do të votohej nga shumica në këtë vend.
Optika ideologjike e mirëfilltë ndaj së shkuarës të lë gjatë në opozitë. Partitë evoluojnë dhe partitë e kohës në perëndim janë gjithëpërfshirëse të qendrës, sikurse është vetë shoqëria dhe pritshmëritë e saj. E majta dhe e djathta nuk janë vlera statike por që evoluojnë mes brezave, tek vetë individi gjatë jetës së tij dhe në vetvete formojnë të tërën që politika e ka për detyrë ta dëgjojë e t’i shërbejë.
PD duhet të kapërcejë “ylberin” për t’ia dalë Edi Ramës dhe PS. PS e ka bërë natyrë të dytë “ringjalljen” nga Kongresi i Parë, rokadat qeveritare apo 2005 me zgjedhjen e Edi Ramës. Ardhja e opozitës në pushtet nuk është punë emrash se kush mban vulën në xhep, por punë strategjish dhe ngjallje besimi te shumica. PD po endet gjatë në “rrethrrotullim” e nëse aty vijohet të përplasen për klane e emra pa reflektuar dhe rishikuar kurse e strategji, ka të ngjarë që një lëvizje anti apo post-Rama brenda PS, ta lërë sërish e sërish në opozitë duke dëmtuar mbi të gjitha demokracinë që “asfiksohet” pa rrotacion politik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



