E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pse po i ikin kandidatët Alibeajt ?! Në zgjedhjet lokale i kanë mbetur  vetëm me 11 emra kandidatësh
Flash

Pse po i ikin kandidatët Alibeajt ?! Në zgjedhjet lokale i kanë mbetur vetëm me 11 emra kandidatësh

Kandidatët e Enkelejd Alibeajt kanë nisur tërheqjen nga gara për zgjedhjet lokale të 14 majit. Pasi Alibeaj deklaroi se ka rreth 20 kandidatë për kryetar bashkie, nga lista e tij u tërhoqën katër prej tyre.

Nga gara e 14 majit janë tërhequr Sandër Marku në Lezhë, Genc Doçi në Kurbin, Gjergji Gjata në Korçë dhe Bujar Vreto në Librazhd. Shkak i tërheqjes së tyre është lista e kandidatëve për anëtarë të këshillave bashkiakë.

Kandidatët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre në renditjen e emrave, ndërsa theksojnë se nuk janë vlerësuar nga PD e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj. Ndërkaq, një tjetër kandidat, ai për bashkinë e Vorës, mjeku Ibrahim Bruka, nuk ka mundur të regjistrohet brenda afatit për arsye familjare.

I kontaktuar nga “Klan News”, Bruka sqaroi se po shikohen mundësitë për të bërë të mundur regjistrimin edhe përtej afateve, duke përfituar nga klauzolat që parasheh ligji.

Gjatë konferencës për mediat, Alibeaj u pyet për tërheqjen e kandidatëve, por nuk dha asnjë shpjegim. Fajin për dështimin e gjetjes së 61 kandidatëve për zgjedhjet lokale, kryetari i komanduar i cili do të përfaqësojë Partinë Demokratike në betejën elektorale të 14 Majit ia hodhi dyshes Rama-Berisha.

Kryeministrin e akuzoi se mbajti peng vulën e partisë duke e zvarritur në procese gjyqësore, ndërsa Sali Berishën e bëri përgjegjës për refuzimin e bashkimit të demokratëve.

“Manovrat e Ramës për stërzgjatjen e procesit gjyqësor dhe duke vazhduar më pas me gjuhën banale të Sali Berishës ndaj pjesës së PD-së që mendon ndryshe nga ai”, tha ai. Sipas tij: “Unë vazhdoj t’i mbetem mendimit dhe qëndrimit se duhej të kishim 61 përfaqësues për bashki në zgjedhje lokale”, tha ai.

“Në prill të vitit të kaluar, duke parashikuar edhe zgjedhjet që do të vinin, kërkesën, lutjet po të doni ju, që të mos krijoheshin struktura paralele, të mos çohej ndarja deri në bazë sepse do të vinte një moment si ky i tanishëm që njerëzit, demokratët përballë së keqes së madhe, Edi Rama, do duhej të ishin bashkë, minimumi bashkim forcash”. 

Pavarësisht se në mbledhjet e strukturave u ra dakord që të garohej me kandidatë në 20 bashki, disa prej tyre duket të jenë tërhequr, duke bërë që për herë të parë, Partia Demokratike të dalë e përfaqësuar me një numër kaq të vogël.

“Janë rreth 20 të depozituar. Ne kemi respektuar të gjithë procedurën tonë. Të gjitha procedurat vazhdojnë në KQZ dhe KZAZ”. 

Por teksa Alibeaj fliste për fitore në zgjedhjet e 14 majit, Gjergji Gjata, i përzgjedhuri si kandidat për Bashkinë e Korçës ka njoftuar tërheqjen nga gara për zgjedhjet e 14 Majit së bashku me 40 kandidatët për anëtarë të Këshillit.

“Tërhiqemi nga gara elektorale, në mënyrë të parevokueshme për Zgjedhjet Vendore 2023, për mungesë të procedurave vendimmarrëse në organet drejtuese të PDSh lidhur me kandidimet, si dhe për shkelje të integritetit dhe dinjitetit të të gjithë kandidatëve, cenuar nga vendime personale dhe jo kolegjiale. Urojmë më të mirën për Korçën dhe suksese për kandidatët më të mirë në të gjithë vendin”,theksoi Gjata.

Në garën për 14 majin nuk është regjistruar as kandidati i prezantuar prej Alibeajt në Librazhd, Bujar Vreto, ndërsa kryesia e PD-së së Vorës ka vendosur të mos zyrtarizojë Ibrahim Brukën.

Bashkitë, në të cilat Alibeaj nuk ka nxjerrë kandidatë, janë ato të Elbasanit, Durrësit, Shkodrës e Lushnjës, ku demokratët e bazës kanë vendosur të mbështesin emrat e primareve të Berishës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.