Po shkonin në minierë për praktikë, furgoni me 5 nxënës në Bulqizë doli nga rruga dhe u përmbys
Gjatë ditës së sotme në Bulqizë, konkretisht në afërsi të minierës së kromit u regjistrua një ngjarje e rëndë. Furgoni me nxënësit e shkollës profesionale që po shkonin për praktikë në minierë, ka dalë nga rruga dhe është përmbysur.
Si pasojë e përplasjes janë plagosur pesë pasagjerët dhe shoferi, të cilët ndodhen në spitalin e Bulqizës jashtë rrezikut për jetën. Njëri prej tyre është nisur drejt Tiranës.
Mjeti ka rënë nga një lartësi prej 100 metrash, ndërsa të plagosurit janë nga mosha 16-19 vjeç. Ata kanë qenë duke mbledhur krom në stogjet e zonës së parë dhe më pas do ta shisnin.
Sipas uniformave blu dyshohet se drejtuesi i furgonit me iniciale Xh. S. ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga.
“Rreth orës 15:20, në aksin rrugor rural që lidh qytetin e Bulqizës me zonën e antenave, shtetasi Xh. S., duke drejtuar automjetin (furgon), ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe automjeti ka dalë nga rruga. Për pasojë, kanë mbetur të dëmtuar, jashtë rrezikut për jetën, drejtuesi i automjetit, shtetasi Xh. S., si dhe shtetasit E. P., A. C., Xh. P., E. D. dhe B. V. (pasagjerë në këtë furgon)”, njofton policia.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



